BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 02 shtator 2010 - 14:45 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Jakshiq: Kosova e pavarur realitet që do pranuar
Boshko Jakshiq
Boshko Jakshiq, një analist i njohur nga e përditshmja serbe Politika, thotë për BBC-në se duhet të vendoset dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë që Serbia të pranojë realitetin e ekzistimit të Kosovës së pavarur.

Ai mendon se mostërheqja e rezolutës së paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të arsyetonte në planin e brendshëm politikën e Beogradit për ndryshimin e politikës ndaj Kosovës.

Me analistin Boshko Jakshiq bisedoi Seladin Xhezairi dhe fillimisht e pyeti se cili do të jetë efekti i presionit diplomatik gjermano-britanik mbi Beogradin lidhur me projektrezolutën e debatueshme serbe të paraqitur për Kosovën në Kombet e Bashkuara?

Jakshiq: Më duket se me këtë perspektiva afatshkurtër nuk ka ndryshuar aspak, sepse sikurse dihet, pa marrë parasysh ndërhyrjen e të dy ministrave, Beogradi nuk hoqi dorë nga rezoluta ose ndryshimi i saj në Kombet e Bashkuara, kështuqë kursi i përplasjes është i pranishëm edhe më tej. Kjo po të shikohet nga këndi i perspektivës afatshkurtër. Më duket se nëse flasim për një afat të mesëm, absolutisht se do të duhet të vendoset dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë që Beogradi të pranojë realitetin e ekzistimit të Kosovës së pavarur.

BBC: Si e mendoni këtë?

Jakshiq: Do të bëhej një koncesion ndaj Beogradit se nuk është i detyruar që këtë ta bëjë publikisht, të mos kërkohet nga politikanët në Beograd që ta njohin Kosovën, por të nis respektimi i realitetit të jetës, i realitetit në terren, dhe kjo pastaj do të hapte mundësinë e gjithë gamës së kontakteve të tjera.

BBC: Media e Beogradit dhe ajo e Prishtinës shkruajnë se, me ndërmjetësimin e Spanjës, Serbia megjithatë do të heq dorë nga rezoluta tashmë e paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Si iu duket kjo?

Jakshiq: Sa më përket mua, kjo rezolutë në njëfarë mënyre ishte edhe e panevojshme, por në situatën në të cilën ndodhen politikanët në Beograd, më duhet të pranoj se ata do të kishin një alibi më të mirë nëse e mbrojnë rezolutën. Me fjalë të tjera, mund të themi se ndoshta dhe me kokëfortësi duhet të shkojnë deri në fund, të vazhdojnë politikën që për shumëçka është e gabueshme, por të paktën të mbeten konsekuent, sepse nëse tani heqin dorë nga rezoluta do të humbasin tek elektorati i tyre. Sado që të tingëllojë kjo paradoksale, për ta është më e madhe mundësia që pas shuplakëës që morën me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, tani të pasojë edhe një shuplakë ose një qortim tjetër. Kjo të jetë ajo alibia në mënyrë që politikanët të dalin e të thonë: "popull, ne bëmë gjithçka dhe tani është evidente se duhet të bëjmë kthesë"... Natyrisht, kjo nënkupton se me siguri do të evitohej shtrimi i pyetjeve pse vite me radhë u zhvillua një politikë e tillë e gabueshme lidhur me Kosovën, sepse kjo nuk ka të bëjë vetëm me këtë qeveri, por edhe me atë të kaluarën, ka të bëjë natyrisht edhe me Millosheviqin, dhe më herët.

BBC: Ju mbroni mendimin se Beogradi duhet të njohë Kosovën si realitet. A është e mundshme kjo duke marrë parasysh se autoritetet në Beograd përsërisin me kokëfortësi se nuk do të kapërcehet ajo që ata e quajnë vijë e kuqe?

Jakshiq: Shtrohet pyetja se çfarë nënkuptohet me njohjen dhe pranimin e realitetit, formalisht e juridikisht. Mendoj se kësi guximi nuk ka, edhe pse ai do të kontribuonte më së shumti në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe në atë që emërtohet si stabilizim i rajonit dhe për evitimin e një pike të mundshme neuralgjike. Pra, formalisht këtë nuk e pres, por absolutisht e pres njohjen e realitetit në atë mënyrën që e kërkon jeta me qëllim të hapjes së dialogut lidhur me çështje të ndryshme, nga vendkalimet kufitare e deri tek shpërndarja e energjisë elektrike, telekomi, çështje këto që u tregua se mund të krijojnë tensione e konflikte. Me fjalë të tjera, duhet të punohet për eliminimi e tyre në nivel praktik.

BBC: Zoti Jakshiq, si i shikoni opsionet e fundit të paraqitura nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave. Mund të jenë zgjidhje?

Jakshiq: Në ato për çka flet Grupi Ndërkombëtar i krizave ka elemente që është evidente se qëndrojnë. Nëse kur flitet për eksterritorialitetin e manastireve ortodokse do të zgjidhet kjo sipas modelit të Hebronit ose përmes të ashtuquajturave rrugë të sigurta që shpiejnë deri tek manastiret. Është evidente se Beogradi duhet të fitojë diçka për të kapërcyer këtë dhe kjo do të ishte njëfarë shkalle e lartë e autonomisë për veriun e Kosovës. Sa u përket enklavave në jug të lumit Ibër, unë personalisht nuk kam kurrfarë brenge, sepse shumë shpesh këtu harrohet se kujdesi për pakicat është detyrimi i dytë, respektivisht që në fjalinë e dytë të Planit të Ahtisarit flitet për këtë në mënyrë eksplicite dhe iu urdhërohet autoriteteve në Prishtinë që doemos të respektojnë të drejtat e minoriteteve. Prandaj unë mendoj se është plotësisht e logjikshme që shteti i pavarur i Kosovës për këtë është mëse i interesuar. Është në interes të tij të respektojë të drejtat e pakicave pikërisht për të dëshmuar edhe integritetin dhe sovranitetin e tij. Kështuqë në propozimin e Grupit Ndërkombëtar të krizave këto janë ato tre elementet që shënojnë dhe i a hapin dyertë Beogradit për arritjen e një marrëveshjeje.

BBC: Si zgjidhje, a mund të shtrohet në tavolinë edhe ndarja e Kosovës?

Jakshiq: Prej moti personalisht kam konsideruar se ndarja e Kosovës është e vetmja formulë e suksesit. Është i ashtuquajturi variant "lose-lose", varianti pa fitues. Pra, nëse secili humb atëherë në një mënyrë vendoset njëfarë drejtësie. Mirëpo, nëse Serbia e ka humbur Kosovën, ashtu sikundër thuhet, është evidente se në këtë moment nuk ekziston gatishmëria për ndarje tek ato fuqi që garantuan dhe sollën pavarësinë e Kosovës, por kjo nuk përjashton mundësinë se ndoshta vetë jeta, me kalimin e kohës, përmes një autonomie të shkallës së lartë të veriut të Kosovës, do të çojë drejtë ndarjes. Mirëpo, duket se në këtë moment kjo nuk është zgjidhja që do të mund ta shikonim në horizont.

BBC: Në këtë moment, Grupi Ndërkombëtar i Krizave përmend edhe mundësinë e shkëmbimit të territoreve dhe të njerëzve. Si ju duket ky opsion, i mundshëm?

Jakshiq: Mundësia e shkëmbimit të territorve do të ishte një vendim shumë i guximshëm. Mirëpo, po të kemi parasysh atmosferën që në Serbi është krijuar vite me radhë se "Kosova është fjala më e shenjtë serbe me të cilën nuk mund të bëhet tregti", atëherë rezulton se ky opsion në masë të madhe është jashtë loje, edhepse në terma praktike, nëse e dimë se edhe diplomacia e lartë shumë shpesh është tregti, ajo do të mund të zgjidhte shumë çështje. Kam frikë se ky guxim për shkëmbim të territoreve mungon si në Beograd ashtu dhe në Prishtinë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>