|
Kritika për nivelin e lirisë së shtypit në Kosovë | |||||||||||||||||||||||
Një përfaqësues për Evropën i Reporterëve pa Kufij, Olivier Basille në një intervistë për BBC-në ka thënë se mediat në Kosovë po kontrollohen nga qeveria për shkak të paqëndrueshmërisë së tyre financiare. Ai thotë se reklamat dërgohen tek ato media që janë më të afërta me politikën e qeverisë, ndërsa gazetarët kërcënohen kur trajtojnë tema si korrupsioni apo të ngjashme. Violeta Hyseni e BBC-së bisedoi me zotin Basille dhe fillimisht i kërkoi një vlerësim të përgjithshëm për lirinë e shtypit në Kosovë. Basille: Nuk do të thoja se është gjendja më e keqe në Ballkan, por sigurisht është një ndër më kritiket në rajon. Për një kohë të gjatë me praninë e organizatave ndërkombëtare, numri i të cilave është i madh në Prishtinë, ne ende realisht nuk jemi në gjendje që të kemi liri të shtypit në Kosovë. BBC: Përse po ndodh kjo? Basille: Unë do të thoja se në radhë të parë nuk e kemi të rregulluar tregun. Në Kosovë ka një numër të mirë të gazetarëve, gazetarë me shkallë të lartë të profesionalizmit, për shembull Koha Ditore dhe Zëri janë gazeta që mund të jenë shumë të vlefshme, por duket që disa njerëz po luajnë me tregun e reklamave, sidomos me reklamat e institucioneve dhe ato publike. Në Kosovë është goxha e vështirë të kesh media të pavarura, nëse nuk ke pavarësi ekonomike. Tregu është i qëndrueshëm vetëm për tre apo katër gazeta. Aktualisht janë tetë gazeta dhe duket që nuk ka rregullore për të organizuar reklamat dhe tregun e medias. Kjo ngrit shumë çështje, e hap korrupsionin në media dhe krijon vështirësi për qëndrueshmërinë ekonomike. Poashtu duket që politikanët dhe sistemi i drejtësisë nuk po e trajton si duhet shtypin. Për shembull ju keni shumë parti politike apo edhe njerëz në qeveri që i sulmojnë rregullisht gazetarët, duke i quajtur ‘tradhëtarë’ të Kosovës, apo se po punojnë kundër Kosovës dhe janë armiq të shtetit të tyre. Dhe në shoqërinë kosovare kur i thua dikujt se është spiun i Serbisë, mund të konsiderohet si kërcënim serioz, si kërcënim me vdekje kundër shtypit dhe kjo bëhet nga një institucion politik e jo nga njerëz të politikës. Ky është një sinjal që për mendimin tim mbetet shumë negativ për gjendjen e lirisë së shtypit në Kosovë. Gjithashtu kemi rastin e RTK-së, që është television publik, por që është televizioni më me ndikim dhe më i fuqishëm në Kosovë, por mënyra se si udhëhiqet sot RTK-ja, mënyra se si është zgjidhur menaxhmenti dhe marrëdhëniet që kanë ata me qeverinë, ngrit shumë pyetje për pavarësinë e RTK-së dhe mënyrës se si transmetohen informatat. BBC: Pra sipas jush, qeveria po bën presion mbi median dhe ato po i nënshtrohen këtij presioni në një formë për shkak të paqëndrueshmërisë së tyre financiare? Basille: Pjesërisht po. Kryeministri duket që i ka kontraktuar të gjitha mediat, por në fakt ka disa media që nuk marrin reklama nga qeveria. Duket që secila ministri ka mundësi që vetë të zgjedhë se si do ta organizojë fushatën e saj dhe ku do t’i çojë reklamat. Nuk është e vërtetë se të gjitha mediat kanë mundësi të barabarta. Ka një numër televizionesh lokale që nuk kanë qasje dhe poashtu janë një numër gazetash që kanë vështirësi në këtë drejtim. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me reklamat publike, por edhe me ato nga kompanitë private pasi ato duhet të punojnë bashkë me qeverinë. Përderisa nuk ka një rregullore, shanset që të gjithë të kenë qasje në reklama nuk janë të barabarta. Që nga kryeministri e deri te ministrat po bëhet një lojë për mënyrën se si po shfrytëzohen këto reklama, sidomos RTK-ja duket që i merr të gjitha reklamat. Të gjithë thonë kjo bëhet, sepse RTK-ja është më e fuqishme dhe më e shikueshme. Kjo është e vërtetë për faktin se ky television i merr të gjitha reklamat dhe mbështetjen. Kjo çështje duhet të rregullohet dhe po bëhet emergjente për Kosovën, ndërsa duket se askush nuk dëshiron të kujdeset për këtë. BBC: Zoti Basille, ju keni shprehur disa herë shqetësim për lirinë e shtypit në Kosovë. A po merren parasysh shqetësimet e juaja nga autoritetet e Prishtinës? Basille: Nganjëherë njerëzit thonë se do të bëjnë ndryshime. Ne e dimë që RTK-ja po planifikon të kontraktojë vetë një pjesë të informacioneve siç po e bën “Jeta në Kosovë” dhe të ketë emisionet e saj. Por sot nuk është e mundur që të ketë debate politike në RTK, nuk është e mundur që qytetarët e Kosovës t’i bëjnë pyetje qeverisë gjatë një programi televiziv, nuk është e mundur të bëhen tema që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe gazetarët nuk mund ta publikojnë atë. Madje edhe nëse qeveria thotë se ofron informacione publike, ato nuk mund të sigurohet vetë nga gazetarët. BBC: Cilat janë rekomandimet e Reporterëve pa Kufij për autoritetet dhe mediat në Kosovë? Basille: Së pari me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar duket se është shumë urgjente organizimi i dialogut me të gjitha mediat duke filluar nga televizioni publik, televizionet nacionale dhe mediat e shtypura dhe të krijohen kushtet për të rregulluar tregun e reklamave. Kjo është shumë urgjente. Ne presim së paku nga qeveria, por edhe nga partitë politike të mos i kërcënojnë më gazetarët duke u thënë se ju jeni tradhëtarë të Kosovës, sepse po shkruani diçka negative për qeverinë apo për ndonjë çështje që ka të bëjë me politikën e përgjithshme të qeverisë. Kjo nuk është e pranueshme për një qeveri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo nuk është në harmoni as me standardet e Kosovës, e as me ato të BE-së. BBC: A po e rrezikon kjo gjendje me mediat të ardhmen evropiane të Kosovës? Basille: Në këtë duhet të përgjigjet Komisioni Evropian, por sipas Reporterëve pa Kufij dhe standardeve që ne duhet të kemi brenda BE-së, unë nuk po them që nuk ka asnjë vend tjetër që nuk përballet me probleme të ngjashme. Brenda Bashkimit Evropian ju keni disa shtete që kanë një gjendje të vështirë. Në Bullgari, Rumani dhe Itali janë dhjetë gazetarë që jetojnë nën përkujdesjen e policisë dhe ato janë shtete evropiane. Pra unë nuk po them që Kosova nuk duhet t’i bashkohet BE-së, por e përsëris se tani që Kosovë është bërë e pavarur, është koha që ajo të ndërtojë një sistem të ri, ka një varg mundësish dhe ky është momenti për të vepruar. Nuk ka kuptim të fillohet me gjëra negative dhe të thuhet se ato do të bëhen pozitive një ditë kur ne do t’i bashkohemi Bashkimit Evropian. Tani duhet të organizohet tregu, ligjet për media, të rregullohet çështja e televizionit publik, t’i thuhet klasës politike dhe sistemit të drejtësisë se kjo nuk është mënyra si do të punojmë ne, sepse kjo nuk është në harmoni me pritjet e BE-së. Nëse qeveria në Kosovë dëshiron që t’i bashkohet BE-së dhe sipas asaj që e thotë ajo dëshiron ta bëjë këtë, e përsërit situata sa i përket lirisë së shtypit nuk është në pajtueshmëri dhe ne do të lobojmë për këtë çështje, sepse është e domosdoshme për çdo qytetar që të mund t’i besoj mediave të tyre, ndërsa nuk është e mundur që të ketë cilësi në media përderisa nuk u ofrohen të gjithave shanse të barabarta. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||