|
Interneti dhe fëmijët kosovarë | |||||||||||||||||||||||
Interneti në Kosovë vazhdon të jetë shumë i shfrytëzuar edhe nga fëmijë të moshave shumë të reja. Specialistët thonë se pavarësisht efekteve negative që mund të ketë interneti te fëmijët, përfitimet janë shumë të mëdha. Ata sugjerojnë që të ushtrohet një kontroll me i madh për faqet që shfrytëzojnë ata, por në asnjë rrethanë nuk këshillojnë që t'u ndalohet interneti. Në një bisedë që kemi zhvilluar me nxënës të shkollës fillore Faik Konica, në Prishtinë, të gjithë ata thonë se janë të familjarizuar krejtësisht me botën e internetit. Këta fëmijë të moshës prej 7 deri në 12 vjeç thonë se megjithëse të shumtën e kohës e harxhojnë për t’u argëtuar, janë të vetëdijshëm se nga interneti jo gjithmonë kanë dobi, disa prej tyre madje edhe thonë se i dinë efektet pozitive dhe negative të tij. Endriti, nxënës në klasën e gjashtë, thotë se pothuajse gjithë kohën që e kalon në internet, e kalon duke luajtur “Unë herë hyj në facebook, herë në messenger, herë luaj lojëra, dhe mendoj se interneti ka ndikim pozitiv, sepse edhe prej lojërave marrim informata të ndryshme. Kohën më të madhe e shfrytëzoj duke luajtur lojën Farmville në Facebook.” Arbëresha, nxënëse në klasën e tetë, thotë se megjithëse mëson shumë, i mbetet edhe shumë kohë për t’u argëtuar në internet “Internetin për shkollë e shfrytëzoj vetëm një orë, sepse nuk na japin shumë detyra që lidhen me të. Unë edhe rri shumë në internet, por edhe mësoj shumë, prandaj mendoj se interneti sjell edhe efekte pozitive edhe negative.” Leoni, nxënës i klasës së pestë, thotë se internetin e shfrytëzon thjesht për qejf dhe për lojëra “Gati gjithë pasditen e kaloj kohën në internet, rreth pesë ose gjashtë orë, të shumtën e kohës luaj, por edhe nëse ka ndonjë gjë që mund ta shfrytëzoj për mësim, atëherë në të njëjtën kohë edhe mësoj." Arsim Gashi mësues gjeografie në këtë shkollë thotë se shumë prej nxënësve e shfrytëzojnë internetin vetëm për argëtim , e pak prej tyre për mësim, sipas tij kjo u merr atyre shumë kohë, të cilën në rastet tjera do të kishin mundur ta shfrytëzojnë për mësim. “Interneti te fëmijët, nëqoftëse përdoret në mënyrë të mirë do të ketë edhe ndikim pozitiv, mirëpo te shumica e fëmijëve interneti përdoret në mënyrë të tepruar dhe me disa lojëra, të cilat nuk i përkasin fëmijëve dhe ato ndikojnë shumë në humbjen e kohës, dhe në humbjen e interesimit për mësim." Ai thotë se ka pasur edhe raste kur ka vërejtur lodhje te nxënësit dhe shkaktar i lodhjes së tyre ai beson të ketë qenë koha e gjatë që ata e kanë kaluar në internet. Luigj Ndou psikolog thotë se bota e internetit përpos komunikimit dhe anës sociale të saj, ka edhe anën negative. Sipas tij, përdorimi i lojërave mund të nxisë dhe të çojë deri te përdorimi i dhunës dhe te sjelljet agresive që nuk i përkasin normave shoqërore. “Përdorimi i lojëra online, të cilat janë të dhunshme, ka një korelacion me sjelljet që janë të dhunshme dhe antisociale në përditshmëri, realisht interneti e ka edhe këtë anën tjetër që është nxitja e sjelljeve antisociale." Zoti Ndou thotë se efektet pozitive të internetit i tejkalojnë te gjitha ndikimet negative që mund të ketë ai, por sipas tij, duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm për ndikimet e këqija të internetit. Zoti Ndou tha se interneti mund të shkaktojë edhe lodhje të madhe fizike, ndërsa, sipas tij, ndikimin më të keq mund ta ketë, pasi që interneti është një sferë e pancezuruar që i mundëson fëmijës të ketë qasje në materiale me përmbajtje agresive, të cilat reflektojnë edhe urrejte dhe agresivitet, e që jane shumë të dëmshme për moshën e tyre të re. “Është dëshmuar se ana pozitive e interentit i tejkalon të gjitha anët negative të tij, por ajo që na duhet neve është të jemi të vetëdijshëm për efektet negative, njëra është lodhja fizike, që u pamundëson atyre marrjen me aktivitete të tjera fizike dhe tjetra qasja e tyre e pancesuruar në faqe me përmbajtje të ndryshme.” Pavarësisht efekteve negative që mund të ketë interneti te fëmijët, është e paimagjinueshme që ata të mos jenë pjesë e tij. Specialistët thonë se megjithë keto efekte negative, përfitimet nga interenti, kjo edhe në sferën e zhvilllimit të aftësive psiko-fizike janë shumë më të mëdha. Ajo që mbetet për t’u korrigjuar ndërkaq, është ngritja e vetëdijes edhe te fëmijët për dëmet që mund të shkaktojë interneti, nëse nuk shfrytëzohet në përputhje me normat e përcaktuara për këtë moshë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||