BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 12 mars 2010 - 12:27 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kërkohet ndalimi i spekulimeve financiare nga BE
Flamuj të BE-së
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Nikolas Sarkozy i kanë kërkuar Komisionit Evropian të fillojë një hetim lidhur me spekulimet financiare që mund të kenë luajtur një rol në krizën greke të borxheve.

Në një letër të përbashkët, që është nënshkruar edhe nga kryeministri grek Jorgo Papandreu, ata thonë se BE-ja duhet të konsiderojë ndalimin e tregëtimit spekulativ të instrumentave financiarë të rrezikut të lartë që njihen si shkëmbimet e kredive të papaguara.

Kancelarja Merkel dëshiron t'i japë BE-së më shumë fuqi në përpjekje për të parandaluar një përsëritje të krizës greke.

Ashtu si kryeministri grek Papandreu dhe presidenti francez Sarkozy, ajo fajëson spekulimet financiare për krizën.

Në një letër të përbashkët të tre këta i bëjnë thirrje Komisionit Evropian të fillojë një hetim sa më shpejt që të jetë e mundur për rolin dhe ndikimin e praktikave spekulative që lidhen me tregëtimin e bonove qeveritare evropiane.

Nëse ka prova për abuzim, thotë letra, BE-ja duhet të shqyrtojë mundësinë për të ndaluar tregëtimin spekulativ të instrumentave kompleksë financiarë që quhen shkëmbimet e kredive të papaguara.

Gjatë një vizite në Uashington këtë javë, zoti Papandreu tha se spekulatorët po fitonin miliarda çdo ditë duke vënë baste mbi mundësinë e mospagimit të borxheve nga Greqia.

Ai nuk përmendi emra, por autoritetet amerikane po hetojnë përdorimin e këtyre mekanizmave nga kompania Goldman Sachs dhe banka të tjera ndërkombëtare.

Sipas njoftimeve të shtypit, Goldman Sachs ka ndihmuar gjithashtu një qeveri të mëparshme greke që të maskojë borxhin e vendit me qëllim që të plotësonte kushtet për futjen e monedhës euro.

Por, nëse nuk ka koordinim midis Evropës dhe SHBA-së, hapat për të ndaluar tregëtinë spekulative nuk do të kenë ndikim të madh.

Dhe kritikët argumentojnë se spekulatorët thjesht janë një objekt i lehtë sulmi.

Greqia, thonë ata, duhet të përqëndrohet në zvogëlimin e shpenzimeve të veta dhe Evropa në zbatimin më të mirë të rregullave të saj.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>