|
Interneti dhe përhapja në Shqipëri | |||||||||||||||||||||||
Në fillim të viteve ’90 në kompjuterat e paktë në Shqipëri, më së shumti në institucionet shtetërore, filloi të dëgjohej një sinjal i çuditshëm. Ishte sinjali i lidhjes me internet, duke shënuar kështu dhe kontaktin e parë të shqiptarëve me këtë botë të madhe të informacionit. Në atë kohë gjithçka ishte falas. Kushdo mund të formulonte numrin e një shoqërie interneti jashtë Shqipërisë dhe të lidhej. Më pas ky shërbim, për shkak edhe të kostos së lartë nisi të kufizohej, për t’u bërë në të ardhmen pronë e shoqërive shqiptare të internetit. Për herë të parë shërbimin e internetit në Shqipëri, e futi në vitin 1991 Fondacioni “Soros”, në bashkëpunim me PNUD-in, i cili u erdhi në ndihmë shqiptarëve për të komunikuar me Europën dhe SHBA. Çerçiz Loloçi i këtij fondacioni thotë se “në kuadrin e disa programeve që kishte në Shqipëri një nga ato më të rëndësishmet ka qenë programi i “Libri dhe Informacioni”. Brenda këtij programi i cili zgjati më shumë se 10 vjet ishte dhe përdorimi i internetit në Shqipëri. Ishte një aksion i përbashkët i fondacionit me PNUD-in, por edhe me qeverinë e atëhershme shqiptare që e futi këtë program me vështirësi, por që pati impakt pozitiv në shoqërinë shqiptare, tek mediat, tek organizatat dhe shoqëritë civile, dhe në segmente të caktuara të qeverisë. “Ndryshe nga ç‘mendohej, thotë zoti Loloçi, interneti në Shqipëri gjeti një përhapje të shpejtë”. Megjithatë shpërndarja masive e internetit erdhi vetëm pas vitit 1997. Operatori i parë ishte Intellectual Communication Center-Albania e më pas në vititn 1998 Abissnet dhe Adanet. Së bashku me operatorë të tjerë ato filluan të shtrijnë shërbimin e internetit fillimisht në Tiranë, në përfaqësitë diplomatike, ato shtetërore e më pas në qytete të tjera të Shqipërisë. Dhe tani pas 12 vjetësh, përhapja e internetit është rritur ndjeshëm. Pjerin Marku, këshilltar i kryeministrit për teknologjinë e informacionit thotë se “Nëse flasim për vitin 2009, Shqipëria është pak a shumë në nivelin e vendeve rajonale, por mbrapa mesatares europiane”. Sipas tij shifra e përdorimit është rreth 30%, pra 30 banorë në 1000 përdorin internet në Shqipëri. Kjo është një shifër relativisht e kënaqshme me vitin 2008 që ishte rreth 15%. Pra është një rritje cilësore midis kësaj periudhe”, thotë zoti Marku. Duke ju rikthyer historisë, infrastruktura e internetit në Shqipëri filloi të krijohet vrullshëm pas vitit ‘98. Duke përdorur teknologjinë e fibrave optike, Shqipëria u lidh nëpërmjet Italisë, Greqisë dhe Kroacisë me rrjetin ndërkombëtar duke shënuar një hop cilësor. Fillimisht çmimet e lidhjes me internetin ishin të larta, por më pas erdhën duke u reduktuar. Megjithatë për mjaft konsumatorë sërisht tarifat e internetit në Shqipëri, nuk mund të thuash se janë të neglizhueshme. Pas abonimit dhe instalimit që në më të shumtën e rasteve është falas, çdo muaj duhet të paguash jo më pak se 1000 lekë, për një linjë interneti komode. Tedi, një maturant shqiptar i cili e përdor mjaft internetin thotë se paguan në muaj 10 mijë lekë, por më parë ka kushtuar më shtrenjtë deri në 45 mijë lekë. Në fokus të kompanive të internetit është rinia Që në fillim synimi i shoqërive të internetit kanë qenë të rinjtë. Në të gjitha qytetet shqiptare gradualisht filluan të ngrihen mjaft salla interneti, duke u kthyer gati në një modë. Veçanërisht më të përhapurat janë sallat me 5-20 kompjutera që në më të shumtën e rasteve janë adoptime të apartamenteve në katet e para të pallatave. Andis Papa, krijuesi i së parës internet kafe në Tiranë kujton se gjithshka ka ndodhur në vitin 1999. Sipas tij “ tërheqëse ka qenë shërbimi i internetit dhe ishte shumë kënaqësi që unë ofroja një cilësi dhe shpejtësi më të madhe”. Andi thotë se “kjo periudhë përkoi me luftën në Kosovë dhe kishte shumë të huaj që lëviznin në atë kohë dhe për këtë arsye pati dhe sukses”. Duke qenë fillimi i krijimit të kompanive të para që ofronin shërbimin e internetit në Shqipëri në atë kohë dhe çmimet ishin të shtrenjta për të patur në shtëpi një shërbim të tillë. Për këtë arsye të gjithë filluar të përdorin pak nga pak internet kafetë dhe në vitin 2001 – 2002 pati boom hapja e internet kafeve në Tiranë dhe në rrethe. “500 lek të reja ka qenë përdorimi për 1 orë i internetit të fillim dhe kuptohet që çmimi filloj të bjerë me kalimin e kohës,” kujton Andis Papa, krijuesi i së parës internet kafe në Tiranë. Së bashku me qendrat e shumta të internetit, në Shqipëri janë shtuar ndjeshëm edhe dyqanet e tregtimit të kompjuterave. Në fillim çmimet kanë qenë të kripura, por kohë pas kohe kanë ardhur duke u ulur. Sipas të dhënave, në Shqipëri çdo vit hyjnë në përdorim deri 50 mijë kompjutera të rinj, por bashkë me kompjuterat e përdorur, mendohet që ky numër të jetë më i madh. Çmimet e tyre fillojnë nga 250 euro. Andis Papa kujton se ” në ato vite një kompjuter mund të kushtonte mbi 1000 – 1500 USD në vitin 1998. Trendi ishte në rënie dhe në vitet 2002 -2003 një kompjuter kushtonte 700 Euro. Ndërkohë që sot një kompjuter minimal në treg gjendet me 250 euro. “Sot për sot, përfundon Andi, kompjuteri nuk është më luks, por një nevojë dhe ky mentalitet duhet të ndryshojë”. Përhapja e internetit në shkollë Një shtrirje të madhe interneti ka marrë edhe në shkollat shqiptare. Sipas një projekti të qeverisë shqiptare çdo shkollë, rreth 2000 të tilla në të gjithë vendin, kanë kabinetet e tyre të informatikës, me të paktën 5-15 kompjutera të lidhur në rrjet, por jo të gjitha e kanë efektiv lidhjen me internet në çdo kohë. Nxënësit thonë se më së shumti e përdor internetin për marrje informacioni që lidhet me mësimet, por edhe për tu lidhur me miqtë në rrjetet sociale si facebook, twitter etj. Vitet e fundit qeveria shqiptare ka kryer investime të konsiderueshme në përhapjen e internetit, duke e vënë atë në shërbim të administratës, por edhe publikut. Që nga viti 1999, të gjitha dikasteret shqiptare kanë faqet e tyre në internet, ndërsa ka filluar të zbatohet shkallë -shkallë programi i quajtur e-government, ose ndryshe qeverisja elektronike. “Kjo përhapje ka sjellë lehtësimin e një sërë marrëdhënieve midis administratës shtetërore dhe publikut”, thotë këshilltari i kryeministrit për teknologjinë e informacionit, Pjerin Marku. “E para është një trend global rritja e vrullshme e përdorimit të internetit, e dyta ëshë një farë liberalizimi i tregut, e treta është një presion pozitiv që ka bërë qeveria sidomos për biznesin. Nuk mund të bësh prokurorim përveçse me mjete elektronike. Po kështu pagimi i taksave dhe lehtësira të tjera, kanë patur një presion pozitiv për rritjen e kërkesës,” thotë zoti Marku. Gjithnjë sipas tij “E ardhmja e internetit në Shqipëri është si në gjithë pjesët e tjera të botës. Shqipëria ka një rritje eksponenciale të internetit, shqiptarët janë shumë të dhënë ndaj zhvillimeve të reja teknologjike, kanë kërkesë të madhe, megjithëse çmimet janë ende të larta krahasuar me rajonin dhe besoj se ky vit 2010 do ketë një ulje të madhe çmimesh dhe rrije të mëdha investimesh në internet. Ne shpresojmë ta ngushtojmë me shpejtësi hapësirën që na ndanë nga vendet e tjera europiane,” thotë këshilltari i kryeministrit për teknologjinë e informacionit, Pjerin Marku. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||