|
SHBA promovon internetin në Iran, Sudan e Kubë | |||||||||||||||||||||||
Shtetet e Bashkuara do të heqin disa kufizime tregtare ndaj Iranit, Sudanit dhe Kubës, në një përpjekje për të inkurajuar përdorimin e internetit në këto vende. Amerikanët do të heqin kufizimet mbi eksportin e teknologjisë së internetit dhe përdorimin e rrjeteve sociale në këto tre vende. Një zyrtar i departamentit të shtetit tha se qeveria amerikane po bënte investime të mëdha në teknologji që iu mundësojnë njerëzve përdorimin e internetit pavarësisht nga masat e qeverive në këto vende për ta bllokuar atë. Siç njofton nga Uashingtoni korrespondentja e BBC-së, Kim Ghatas, liria e internetit po shndërrohet me shpejtësi në një nga parimet e politikës së jashtme amerikane. Departamenti i Thesarit bëri të ditur se vendimi për të hequr kufizimet në eksportin e programeve dhe shërbimeve kompjuterike, do ta bëjë më të lehtë për iranianët, sudanezët apo kubanezët që të përdorin internetin për të komunikuar mes vetes dhe me botën e jashtme. Në deklaratë thuhet se kjo do t'i mundësojë atyre që të ushtrojnë një ndër të drejtat bazë. Kjo teknologji sipas të gjitha gjasave do të blihet nga bizneset e vogla dhe një pjesë e saj pritet të përdoret për t'iu anashkaluar kufizimeve që ekzistojnë në këto vende për përdorimin e programeve të tilla si Twitter-i, apo të mesazheve përmes internetit. Muajin e kaluar autoritetet iraniane kufizuan përdorimin e G-mailit në prag të protestave të planifikuara nga opozita. Deri tani, kompanitë amerikane nuk iu kanë shitur teknologji këtyre tre vendeve, për të mos shkelur sanksionet. Pavarësisht nga heqja e kufizimeve për teknologjinë e informacionit, Shtetet e Bashkuara po bëjnë presion për ashpërsimin e sanksioneve ndaj qeverisë së Iranit, lidhur me programin e debatueshëm bërthamor që ajo po ndjek. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||