|
Sindikatat paralajmërojnë grevë | |||||||||||||||||||||||
Sindikatat greke kanë paralajmëruar një tjetër grevë të përgjithshme për ditën e enjte në vazhdim të protestave kundër masave të ashpra ekonomike. Ndërkohë, menjëherë pas shpalljes së masave shtesë, në vend po vihet re një valë shtrenjtësie. Kjo sipas analistëve vë në diskutim objektivin e qeverisë për rritjen e të ardhurave. Ndonëse masat e shpallura javën e kaluar nga qeveria hyjnë në fuqi më 15 mars, komsumatorët po e fusin qysh tani dorën më thellë në xhep. Duke përfituar nga rritja tatimit të vlerës së shtuar, tregtarët i rritën paraprakisht çmimet. "Çmimi është rritur me 12 cent pas vendosjes së taksës së konsumit dhe rritjes së TVSH-së", thotë për BBC-në një qytetar para një pike furmizimi me karburant. Ai tha se donte ta mbushte të gjithë serbatorin, po kur pa se çmimi kishte shkuar 1,6 euro, vendosi të kursente. Tregtarët e justifikojnë rritjen e menjëhershme të çmimeve me faktin se, siç thonë, që prej javës së kaluar i marrin më shtrenjt produktet. Por, presidenti i federatës së tregtarëve grekë, Vasilis Korkidis, e kundërshton këtë justifikim. "Rritja e TVSH-së do të hyjë në fuqi më 15 mars. Kështu që është e pamundur praktikisht që rritja të aplikohet para kësaj date, siç pretendojnë tregtarët”, tha zoti Korkidis. Qeveria shpalli masat shtesë me qëllim përmirësimin e situatës buxhetore dhe rritjen e të ardhurave, por analistët dhe ekspertët druhen se rezultati nuk do të jetë ai që pritet. "Rritja e TVSH-së, që do të përcillet te konsumatori, e ndërthurur me rritjet në karburantet, pijet dhe cigaret, si dhe reduktimet e pagave, është e sigurtë se do ta ulë me të paktën 20% fuqinë blerëse", thotë ekonomisti Petros Bograkos. Ndërsa gazetari Vasilis Liritzis, druhet se mos qeveria 'në vend që të vejë vetullat, nxjerr sytë'. “Po sikur konsumi të bjerë, ç’do të bëhet? Do t’i sigurojë të ardhurat e programuara qeveria? Sepse me reduktimin e të ardhurave, në ndërthurje me shtrenjtimin e pashmangshëm, njerëzit do të detyrohen të kursejnë në njërin krah, që të paguajnë detyrimet në krahun tjetër, siç janë këstet e kredive, bie fjala. Atëherë mund të krijohet një efekt domino që do të na shpjerë në ciklin e recesionit”, thotë gazetari Vasilis Liritzis. Por ministri i financave, Jorgos Papakonstandinu, duke mbrojtur masat shtesë që u shpallën javën e kaluar, thekson se ato do të rezultojnë të dobishme edhe për qytetarët. "Rimëkëmbja e ekonomisë greke është imperativ kombëtar, është në dobi të qytetarit dhe të familjes së mesme greke", tha zoti Papakonstandinu. Analisti i çështjeve ekonomike, Babis Papadimitriu, është ndër përkrahësit më të zjarrtë të masave të reja dhe thekson domosdoshmërinë e zbatimit të tyre. "Masat do të duhet të zbatohen me shumë rigorozitet dhe që në javët e para duhet të dëshmohet efiçenca e tyre. Në radhë të parë duhet të binden tregjet për t’i dhënë Greqisë hua me interesa normalë. Dhe së dyti, duhet që deri në qershor, kur të bëhet bilanci në kuadër të mbikqyrjes së ekonomisë greke, të binden të gjithë se masat sollën rezultat. Në të kundërt, në qershor do të duhet në mënyrë të pashmangshme të merren masa të tjera”, thotë analisti i çështjeve ekonomike, Babis Papadimitriu. Ndërsa kryeministri Jorgos Papandreu, ka marrë këto ditë mbështetjen e Berlinit dhe Parisit për masat e shpallura, e të njëjtën mbështetje pritet të marrë edhe nga presidenti amerikan Barack Obama, kur të kthehet nga Uashingtoni ai duhet të përballet me reagimet e sindikatave, që dita-ditës po përshkallëzohen. "Vendosëm zhvillimin e grevës së përgjithshme për të enjten më 11 mars. Lufta jonë do të jetë afatgjatë, përderisa afatgjatë do të jetë dhe kriza”, deklaroi kreu i konfederatës sinndikale greke, Janis Panagopulos. Kryeministrit do t’i duhet të përballet edhe me reagimet brenda partisë së vet, nga gjiri i së cilës janë artikuluar kritika të fuqishme kundër masave. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||