|
Rehn kërkon masa shtesë nga grekët | |||||||||||||||||||||||
BE i ka thënë Greqisë se duhet të bëjë më shumë për të vënë nën kontroll krizën buxhetore. Komisioneri i BE-s për çështje ekonomike Olli Rehn, tha se ai po i kërkonte qeverisë greke të bënte të dituar masa të reja në ditët e ardhshme. Ai u shpreh kështu pas takimit që pati me ministrin grek të financave, George Papaconstantinou, në Athinë. Zoti Papaconstantinou tha se bisedimet kishin mbuluar reformat në sistemin e pensioneve, buxhetin dhe shërbimin statistikor dhe se qeveria greke do të marrë masa shtesë po të jetë e nevojshme. Takimet e zotit Rehn kryhen pas gjetjeve te një raporti ekspertësh, që ishin ditët e mëparshme në Athinë dhe që kanë konstatuar se nevojiten masa shtesë për të mbyllur një, siç quhet, vrimë të zezë në buxhet, me vlerë 4,5 miliardë euro. Masa për kapërcimin e krizës Ndër masat që konsiderohet e sigurt se do të shpallen, e shumta deri të enjten, përfshihet heqja e shpërblimit të Pashkëve, e barabartë me gjysmë page mujore, si dhe kompensimi i lejes së zakonshme. Analistët vlerësojnë se kjo masë do të zbatohet jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat. Më tej, është rekomanduar shkurtimi i buxhetit për shëndetësinë, që kap shumën 1,2 miliardë euro, në kohën që spitalet shtetërore kanë një borxh pesë herë më të madh. Masa të tjera, që vlerësohet se kanë ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat e qytetarëve të thjeshtë, janë ato për rritjen e mëtejshme të taksave në karburante, cigare dhe pije alkoolike, rritja e tatimit mbi vlerën e shtuar, TVSH, të paktën me 3,5% dhe zbatimi i koefiçentëve të rinj për tatimin mbi të ardhurat personale. Mediat citojnë burime qeveritare të kenë thënë se masat, që cilësohen si emergjente, do të jenë pa precedent dhe se i tejkalojnë parashikimet. Por të njëjat burime theksojnë se vendi ka shansin e fundit për të tentuar shpëtimin me mjetet e veta dhe për të normalizuar aftësinë kredimarrëse. Qëndrimi gjerman për krizën greke Të premten kryeministri Jorgos Papandreu do të takohet në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në një takim prej të cilit Greqia shpreson shumë, në kohën që në vend po dominojnë ndjenja të forta kundër aleatit të fuqishëm, për shkak të referimeve të mediave gjermane, që grekët i konsiderojnë si ofenduese. Thuhet se Gjermania do të ofrojë një kredi prej të paktën 25 miliardë eurosh. Në Athinë ishte guvernatori i bankës gjermane Doutche Bank, Jozef Akerman, që pas takimit me kryeministrin dhe guvernatorin e bankës greke nuk i hapi letrat e veta. Por këtu vlerësohet se zoti Ankerman do të jetë hartuesi i planit të shpëtimit, që pritet të saktësohet gjatë takimit Merkel-Papandreu, të premten. Një tjetër skenar që ka promovuar shtypi grek, është ai që Greqia të ndihmohet nga vendet e Eurozonës me një shumë prej 25-30 miliardë euro. Por ministria gjermane e financave i përgënjeshtroi zërat sipas të cilave po shqyrtohej një plan i tillë. Gjithsesi, gjërat do të fillojnë të kristalizohen në përfundim të ditës së hënë dhe në masë të madhe vlerësohet se do të varen nga opinionet që do të shprehë Komsioneri për Financat, Olli Rehn. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||