BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 13 janar 2010 - 15:31 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Greqia kërkon ndihmë nga FMN

Logo e FMN-së
FMN-së i është kërkuar ndihmë teknike
Gjendja e vështirë e financave shtetërore e ka detyruar qeverinë e kryeministrit Jorgos Papandreou të thërrasë në ndihmë Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Qeveria ka thirrur një delegacion të Fondit për ta ndihmuar në uljen e defiçitit buxhetor rekord.

FMN-ja nuk po jep ndonjë hua, por thjesht ndihmë teknike, por kur FMN-ja vjen në vend duket se gjërat janë serioze.

Dhe ndërsa Greqia është anëtare e eurozonës, çfarë ndodh atje ka implikime edhe për Bashkimin Evropian.

Komisioni Evropian e ka përjashtuar mundësinë e vendosjen së Greqisë nën mbikqyrjen e FMN-së.

Ai ka dhënë garanci që Greqia të mbetet në Eurozonë.

Pesimizëm

Qeveria greke ka hartuar një plan për të dalë nga situata. Në të parashikohet mes të tjerave, dhe ulje të ndjeshme në pagesat për punonjësit e sektorit publik dhe pensionet.

Analistët thonë se kjo nuk është asnjëherë diçka e lehtë për t'u bërë, por në rastin e Greqisë, ata kanë frikë se mund të jetë gati e pamundur.

Shumë grekë janë skeptikë për situatën.

"Mendoj se gjendja po shkon nga keq në edhe më keq. Unë nuk jam e frikësuar se di si t'i menaxhoj paratë, por nuk e dij nëse qeveria e di se si t'i përballojë gjërat," thotë një banore e Athinës.

Por një grek tjetër thotë se nuk ka besim tek qeveria greke. "Ata nuk e dijnë se çfarë po bëjnë. Janë në pushtet për më shumë se 100 ditë dhe nuk kanë asnjë plan".

"E vetmja gjë që duan është të mbrojnë punonjësit e administratës, ata nuk duan t'i taksojnë. Nuk duan të prekin sindikatat dhe nga ana tjetër ata taksojnë njerëzit, taksa, taksa, taksa," thotë ai.

Nëse ata do të munden ta rikthejnë besimin e njerëzve, kjo do të mund të marrë përgjigje pas disa muajsh.

Po kështu do të duhet kohë për të parë nëse masat që po merr tani qeveria, do të kenë dhënë rezultatet e para.

Probleme të grumbulluara

Ekonomia greke ka një sërë problemesh që janë grumbulluar nëpër vite, dhe që lidhen me keqmenaxhimin e bërë nga autoritetet e nivelin e lartë të korrupsionit të administratës shtetërore.

Prandaj dhe kryeministri Papandreu, në gjithë fjalimet e tij të kohëve të fundit, përdor shprehjen ndërhyrje kirurgjikale.

Por qeveria aktuale vazhdon të gëzojë një popullaritet të lartë.

Sondazhi më i fundit, rezulton se popullariteti i saj është i lartë, mbi 80 përqind.

Por besimi i opinionit përgjysmohet në pyetjen se sa qeveria do t’i realizojë objektivat e saj.

FMN në Athinë

Në Athinë ka mbërritur një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Zyrtarisht, nga vetë FMN është thënë se ekipi nuk ka ardhur për të diskutuar mbi mundësinë e dhënies së ndonjë kredie apo vendosjen e Greqisë nën mbikqyrtjen e Fondit.

Fondi thotë se po konsulton palën greke se si do të mund të jenë më efektive masat e marra dhe për masat që do të merren në të ardhmen.

Komisioni Europian e kundërshton vendosjen e Athinës nën mbikqyrjen e FMN-së.

Ai ka ofruar garanci që Greqia të mbetet në Eurozonë.

Por të gjitha këto do të varen nga programi i stabilitetit ekonomik që Greqia do t’i paraqesë deri në fund të muajit Komisionit Europian.

Boshtet kryesore të këtij progami pritet t’i publikojë për herë të parë ministri i Financave.

Gjendje 'dramatike'

Një përshkrim të programit e bëri kryeministri Jorgos Papandreu gjatë takimit me presidentin e Bashkimit Europian, Herman Van Rompui.

Sipas kryeministrit grek, programi është një platformë e përgjithshme rimëkëmbjeje kombëtare, që përfshin një tërësi ndryshimesh institucionale, ligjore dhe strukturore.

Reduktimi drastik i shpenzimeve buxhetore dhe rritja e të ardhurave për buxhetin e shtetit janë dy akset kryesore.

Financat shtetërore ndodhen aktualisht në një gjendje dramatike, aq sa ministri i Punës tha se pagesa e asistencës për të papunët është në rrezik.

Qeveria ka marrë disa masa, si rritja e taksave dhe akcizave në sektorë të ndryshëm, por ka theksuar se këto rritje nuk do të prekin shtresat ekonomikisht të pafuqishme.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>