BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 04 janar 2010 - 14:35 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Papandreu në vizitë një ditore në Serbi
Beograd
Kryeministri grek është i ftuar nderi nga autoritetet serbe
Kryeministri grek, Jorgos Papandreu është të hënën për një vizitë njëditore në Beograd, ku do të takohet me presidentin dhe kryeministrin e vendit.

Ai do të flasë gjithashtu në konferencën e ambasadorëve të Serbisë në rajon. Por a ka ndonjë motivim të veçantë kjo vizitë, përderisa është e para që zhvillon kryeministri grek në ditët e para të vitit të ri?

Korrespondenti i BBC në Athinë Robert Goro thotë se fakti se ai pranoi ftesën për të qenë i ftuari i nderit në konferencën e ambasadorëve, i jep vetvetiu një motivim të veçantë këtij udhëtimi në kryeqytetin e Serbisë.

Përndryshe Athina ka pasur tradicionalisht marrëdhënie shumë të mira me Beogradin, ndërsa vetë zoti Papandreu me presidentin serb, Boris Tadiq kanë një lidhje më shumë për këto marrëdhënie, dhe kjo është internacionalja socialiste, ku zoti Papandreu është president dhe partia e zotit Tadiq është anëtare.

Sipas burimeve nga ministria e jashtme, kryeministri grek do t'i referohet në diskutime iniciativës së Athinës për integrimin në BE të Ballkanit perëndimor, ose siç quhet tashmë, Axhenda 2014, që përmban objektivin ambicioz që vendet e rajonit të anëtarësohen në Unionin Evropian brenda 2014-s, që është një vit simbolik, teksa shënon 100 vjetorin e luftës së parë botërore që nisi nga Sarajeva, pra nga Ballkani.

Në këtë kuadër, zoti Papandreu do të përshëndesë aplikimin e Serbisë për anëtarësimin në BE, që e dorëzoi presidenti Tadiq më 22 dhjetor dhe do të shprehë mbështetjen e Athinës ndaj këtij aplikimi.

Njëkohësisht, ai do të inkurajojë autoritetet serbe për të gjetur dhe arrestuar kriminelët e luftës që kërkohen nga gjykata e Hagës për krimet në ish Jugosllavi, mes të cilëve edhe gjenerali Ratko Mlladic.

Por përveç këtyre, thotë korrespondenti i BBC-së pritet të diskutohet edhe për çështje si Kosova dhe Maqedonia.

Jorgos Papandreu në këtë qëndrim njëditor në Beograd do të takohet edhe me presidentin Tadiq dhe me kryeministrin Cvetkoviç, dhe natyrisht ne ministrin e jashtëm Jeremiç.

Nuk pritet ndonjë befasi, teksa Papandreu do të përsërisë qëndrimin e Athinës për të mos njohur pavarësinë e Kosovës, të paktën deri në momentin e përfundimit të procesit në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë.

Ndërsa nga tjetër, pala serbe do të theksojë mbështetjen e qëndrimeve të Greqisë në mosmarrëveshjen me Maqedoninë.

Dy muaj më parë, ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, kishte shprehur mirëkuptimin e plotë ndaj qëndrimit grek dhe kishte deklaruar se Athina mund të besojë në mbështetjen e Beogradit për çështjen e Maqedonisë, çka kishte shkaktuar reagimin e ashpër të presidentin maqedonas, Ivanov, i cili ndodhej në Beograd për varrimin e partiarkut Pavel.

Por menjëherë më pas, Ivanov ishte pritur nga presidenti Tadiq, që i kishte konfirmnuar se Serbia nuk lëviz nga qëndrimi i saj për njohjen e Maqedonisë me emrin e vet kushtetues.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>