BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 17 dhjetor 2009 - 16:12 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Berisha: Nuk do ndotim, do ruajmë standardet
Kryeministri Berisha
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, që merr pjesë në ditët e fundit të konferencës ndërkombëtare për klimën në Kopenhagë, tha për BBC-në se shpreson se përkundër mospajtimeve aktuale, negociatat mes vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara do të jenë të suksesshme.

Në të njëjtën kohë, tha ai, Shqipëria është e vendosur të shndërrohet në një superfuqi të vogël prodhimi të energjisë së rinovueshme në rajon.

Zoti Berisha tha gjithashtu se nuk do të hiqet dorë nga realizimi i projekteve të debatueshme për ambientalistët, por se në rastin e tyre do të respektohen standardet europiane për mjedisin.

Me kryeministrin shqiptar bisedoi Seladin Xhezairi dhe fillimisht e pyeti se si i shikonte përplasjet më të reja mes vendeve në zhvillim dhe atyre industrialisht më të zhvilluara?

Kryeministri Berisha: Me sa duket, ka një ngërç këtu për marrëveshjen, por shpresojmë se negociatat do të jenë të sukseshme. E vërteta është se, siç dihet, vendet e zhvilluara janë dhe prodhuesit më kryesorë të emetimit të gazrave dhe ndërkohë vendet në zhvillim janë një potencial i madh për t'u zhvilluar në drejtimin më mjedisor. Natyrisht, ndihma e vendeve në zhvillim në këtë drejtim, për një sukses në orientimin e ri të zhvillimit të këtyre vendeve, është e domosdoshme. Sikundër është e domosdoshme që edhe këto vende të mos e konceptojnë qëndrimin e tyre ndaj problemeve të mëdha të klimës, si një qëndrim që diktohet nga vendet tërësisht të zhvilluara, por si një përgjegjësi që këto vende duhet të marrin në interesin më të mirë të qytetarëve të tyre, në interesin më të mirë të vendeve të tyre dhe në interes të njerëzimit. Pra, këtu ka një qëndrim konceptual disi të pafavorshëm, mendoj unë.

BBC: Zoti Berisha, ku e vendosni Shqipërinë, realitetin shqiptar, kur është fjala për këtë problem. Në fakt, çfarë vendi zënë dhe sa shqetësuese janë në Shqipëri çështjet që lidhen me klimëni?

Kryeministri Berisha: Shqipëria është një vend i cili emeton pesë herë më pak për frymë gazra se sa vendet e zhvilluara. Shqipëria është një vend i cili 97 për qind të energjisë e ka nga burimet ujore dhe ka një potencial shumë të madh energjetik ujor, nga era, dielli, biomasa dhe format tjera. Shqipëria është e vendosur, duke mos përjashtuar dhe burimet tjera energjetike, të shndërrohet në një superfuqi të vogël prodhimi të energjisë së rinovueshme në rajon. Natyrisht, thirrja ime në këtë konferencë, këtu në Kopenhagë, ishte, mbasi Shqipëria ka firmosur rreth 5 miliardë euro kontrata për energji të rinovueshme ere, biomase dhe uji, thirrja ime ishte për institucionet financiare të vendeve të pasura dhe ato ndërkombëtare, të mbështesin me financat e tyre kontraktorët e kësaj sipërmarrjeje të madhe prodhimi energjie në Shqipëri.

BBC: Megjithatë, zoti Kryeministër, veprimtarë të mjedisit, por edhe nga radhët e opozitës, kritikojnë si të dëmshme për ambientin, ngritjen, ta zëmë, të disa fabrikave të çimentos apo dhe projektin për ndërtimin e parkut për prodhimin e energjisë me erë në zonën e Karaburunit...

Kryeministri Berisha: Natyrisht, kritikat e mjedisorëve janë të dobishme dhe të rëndësishme, por ajo çfarë dua të them unë, rëndësi më kryesore se çdo gjë tjetër kanë standardet. Ju e dini që antiglobalët protestuan në Vlorë muaj të tërë, ndërkohë që tani TEC-i i Vlorës e ka standardin e ndotjes dy herë më të ulët se sa ç'është standardi europian. Fabrikat e çimentos sigurisht do të ndërtohen, por rëndësi ka efekti kumulativ i ndotjes që ato krijojnë, që duhet të jetë gjithnjë më i ulët se sa standardi europian. Pra, vërtet ne po shkojmë drejt një revolucioni industrial, por ky revolucion nuk duhet në asnjë mënyrë të krijojë ngarkesa mjedisore. Si të thuash, do të jetë një revolucion industrial jeshil dhe një ekonomi e kësaj natyre. Këtu qëndrojmë ne kryesisht.

BBC: Një tjetër pyetje, në kuadrin e debateve për ndryshimin e klimës, kur është fjala për realitetin shqiptar, zoti kryeministër, shtrohet për ruajtjen, mbrojtjen e pyjeve dhe për përpjekjet që bëhen për uljen e zhurmës, të numrit të makinave që ndotin ambientin. Të dhënat për kryeqytetin shqiptar flasin se gjendja është alarmante...

Kryeministri Berisha: Për sa u përket pyjeve, qeveria po ndërmerr një program pyllëzimi. Ne synojmë që gjatë këtyre katër viteve të mbjellim së paku 100 mijë hektarë pyje dhe ullishte, pasi, siç e dini, ne planifikojmë 20 milionë rrënjë ullinjsh në një sipërfaqe prej 60 mijë hektarësh, sikundër do të shumëfishojmë mbjelljen e pyjeve në mbarë vendin dhe sidomos në zonat e shpyllëzuara nga shkaqe të ndryshme. Çështja e ndotjes akustike është një çështje e cila po trajtohet tani me seriozitetin e duhur dhe unë besoj se ajo do marrë përgjigjen që meriton.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>