BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 03 dhjetor 2009 - 14:31 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Greqia merr masa për të ulur defiçitin

Hartë e Greqisë
Greqia do të reduktojë shpenzimet në fushën e mbrojtjes, në zbatim të masave për pakësimin e deficitit buxhetor.

Ministri vendas i financave e ka deklaruar këtë pas vendimit për vendosjen nën mbikqyrje të ekonomisë greke, për herë të dytë brenda pesë viteve të fundit.

Vendimi u konfirmua në Bruksel, në të njëjtën kohë që zyrtarë të lartë europianë i kanë cilësuar si të “ekzagjeruar skenarët për falimentimin ekonomik të Greqisë”.

Athina zyrtare ka marrë frymë e lehtësuar pas mirëkuptimit që kanë treguar ministrat e financave të BE-së, ndaj përpjekjeve të autoriteteve për reduktimin e deficitit buxhetor.

Analistët vendas venë në dukje se pati një ndryshim të madh klime, teksa zyrtarët komunitarë deklaruan mbështetjen e tyre për ekonominë greke, duke theksuar në të njëjtën kohë nevojën e marrjes së masave shtesë dhe reformimin rrënjësor të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe atij tatimor.

Gjatë ditëve të fundit ekonomia greke ka qenë në qendër të vëmendjes së analistëve financiarë ndërkombëtarë që paralajmëronin se Greqia mund të jetë një Dubai apo Islandë e radhës.

Por Presidenti i Eurogrupit, Zhan Klod Junker, i cilësoi si të ekzagjeruar skenarët për falimentimin e ekonomisë greke.

“Skenarët për falimentim të Greqisë janë krejtësisht të ekzagjeruar. Greqia nuk ka falimentuar dhe as kërcënohet me falimentim. Jemi të bindur se qeveria greke do të marrë masat e domosdoshme për ta stabilizuar deficitin buxhetor”, tha zoti Junker.

Ndërkohë, ministrat e financave kanë ratifikuar vendimin për vendosjen e ekonomisë greke në një fazë mbikqyrjeje, çka nënkupton që çdo tre muaj Brukseli do të kontrollojë hapat e Greqisë në rrugën e përmirësimit ekonomik.

Nga ana tjetër, qeveria do të paguajë interesa më të larta për kredinë prej 50 miliardë eurosh që do të marrë me qëllim mbështetjen e shëndoshjes së gjendjes ekonomike.

Në vendimin e ECOFIN-it thuhet se në prill të këtij viti, Këshilli i Ministrave e ftoi Greqinë të marrë masa për rregullimin e deficitit buxhetor, por këto masa nuk u zbatuan kurrë, me rezultat përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes”.

Ministri grek i financave u shpreh optimist se gjatë javëve të ardhshme vendit të tij do t’i jepet afati i nevojshëm shtesë për të arritur reduktimin e deficitit buxhetor, në nivelet e Bashkimit Europian.

Ai theksoi se ky objektiv mund të arrihet nëpërmjet rritjes së ritmeve të zhvillimit ekonomik, shtimin e të ardhurave tatimore dhe luftimin eficent të evazionit fiskal, si dhe kufizimin e shpërdorimeve në sektorin publik.

Në këtë kuadër, tha ministri, reduktimi i shpenzimeve për mbrojtjen do të kontribuojë në uljen e deficitit buxhetor.

Greqia mban vendin e parë në Bashkimin Europian për shpenzimet ushtarake në raport me numrin e popullsisë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>