|
'Nuk dihet' fati i fondeve për klimën | |||||||||||||||||||||||
BBC ka zbuluar se qindra milionë dollarë të premtuara nga vendet e pasura në ndihmë të vendeve në zhvillim për të përballuar ndryshimet klimatike, nuk dihet se ku kanë përfunduar. Në vitin 2001, Bashkimi Evropian dhe dhe 20 vende të industrializuara premtuan mbi 400 milionë dollarë në vit në ndihma. Por BBC-së gjeti në një hetim se gjatë tetë vjetëve, vetëm 260 milionë dollarë janë paguar në dy fonde të posaçme të OKB-së. Një zyrtar i lartë i BE-së këmbëngul se premtimet janë mbajtur. Por ai e pranon se janë bërë gabime në llogari dhe shtoi se priste që të nxirreshin mësime për të ardhmen. Rezultatet e hetimi i BBC-së bëhen të ditura në prag të samitit të Kopenhagës për klimën. Prova Udhëheqësit botërorë po shqyrtojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për të kufizuar ndikimin e ndryshimit të klimës në Kopenhagë. Por hetimi i BBC-së ka gjetur prova që sugjerojnë se çfarëdo marrëveshjeje që të dalë nga ky takim, mund të mos ketë as vlerën e letrës ku është shkruar. BBC-ja ka hetuar se çfarë ka ndodhur me premtimet për financime të bëra gjatë kohës së përgatitjes së Protokollit të Kiotos për kufizimin e emetimeve që shkaktojnë efektin serë. Deklarata e Bonit e bërë në vitin 2001 thoshte se vendet e industrializuara do të transferonin çdo vit në vendet e varfra 410 milion dollarë për t'i ndihmuar ato që të përshtateshin me pasojat e ngrohjes globale. Por shqyrtimi i të dhënave, që janë të hapura për publikun, ka ngritur dyshime nëse paratë e premtuara janë marrë ndonjëherë. Mësime Zyrtari i lartë i OKB-së për klimën, Yvo de Boer thotë se ka pasur një problem në përcaktimin e asaj se çfarë ishte në të vërtetë në premtim për klimën. "Është shumë e vështirë të përcaktosh nëse diçka është një kontribut për ndryshimin e klimës ose jo dhe në këtë kuptim e ndjej me të vërtetë se Kopenhaga duhet të hedhë vështrimin përpara dhe jo pas dhe këtë herë t'i vërë gjerat në vendin e duhur dhe të jetë e qartë" tha ai. Zoti de Boer tha gjithashtu se duhen gjetur mënyra më të mira për të ndjekur se ku shkojnë paratë. "Mendoj se në Kopenhagë duhet të gjejmë një mekanizëm të kontrollit të përgjegjësisë që të jetë i qartë si kristali, që e bën me të vërtetë të qartë që ta ndjekësh atë se si mbështetja e vendeve të pasura shkon tek vendet në zhvililm në lidhje me ndryhimin e limës. Këtë nuk duhet ta ngatërrojmë përsëri," tha ai. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||