|
Paralajmërim për akullnajat | |||||||||||||||||||||||
Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh thotë se shtresa e sipërme e akullit në Groenlandë po shkrin me ritme shumë më të shpejta se shtatë apo tetë vjet më parë. Një nga shkencëtarët i tha BBC-së se më shumë se 1.5 trilionë ton akull ka shkrirë që prej vitit 2000. Autorët e këtij studimi shpresojnë se ai do të shtojë ndjenjën e urgjencës për të vepruar në samitin për klimën që do të zhvillohet në Kopenhagë muajin e ardhshëm. Shkencëtarët përdorën të dhëna satelitore, informacionin e shërbimit sinoptik dhe disa modele kompjuterike për të treguar se humbja e masës së akullit në Groenlandë ka patur ritme më të shpejta gjatë dekadës së fundit. Ata thonë se këtu ka pasur dy procese të veçanta - temperaturat më të larta të ajrit po shkaktojnë shkrirjen e sipërfaqes së akullit në një masë më të madhe dhe po shtohet numri i blloqeve të akullit që shkëputen nga akullnajat dhe shkojnë në det. Çdo vit niveli i detit po rritet edhe gjysmë here më shumë se ritmet e shtatë apo tetë vjetëve më parë. Po të shkrihet i gjithë akulli i Groenlandës, niveli i ujit të detit në shkallë globale do të rritet me afro shtatë metra. Nëse temperatura në zonën e Arktikut vazhdon të rritet, ritmet e shkrirjes së akullnajave do të shpejtohen. Megjithatë, shkencëtarët thonë se zhdukja krejtësisht e akullnajave ka pak gjasa të ndodhë në të ardhmen e afërt. Pesimizëm për arritjen e objektivave Një nga institucionet më të njohura britanike në fushën e inxhinierisë ka paralajmëruar se përpjekjet e vendeve të industralizuara për të reduktuar në mënyrë të ndjeshme emetimin e dioksidit të karbonit deri në fund të shekullit, sipas të gjitha gjasave, do të dështojnë për shkak të mungesës së kapaciteteve për të prodhuar energji nga burime të pastra. Raporti i Institutit të Inxhinierisë Mekanike thotë se edhe sikur i gjithë kapaciteti aktual i inxhinierisë britanike të vihej në funksionim të prodhimit të teknologjive të pastra të energjisë, Britania sërish do të ishte shumë larg plotësimit të objektivit për uljen e kuotave të emetimit. Raporti thotë se kjo është e vërtetë edhe për shumë vende të tjera të industralizuara. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||