BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 18 shtator 2009 - 10:02 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Reagime për Enciklopedinë Maqedonase

Teatër antik në Maqedoni
Enciklopedia e përshkruan popullin maqedonas si “sllav”
Në Maqedoni Akademia e Shkencave ka botuar Enciklopedinë Maqedonase, për të cilën nga ky institucion thuhet se është “një përmbledhje shekullore e zhvillimit të vendit”.

Enciklopedia përmbledh ngjarje, fenomene, personazhe dhe fakte që kanë të bëjnë me Maqedoninë.

Por subjekte të ndryshme shqiptare, vetëm një ditë pas promovimit të enciklopedisë, kanë shumë kritika për faktet që jepen për shqiptarët.

Arben Ratkoceri, botues i të përditshmes "Koha" mendon se të dhënat janë të shtrembëruara dhe tendencioze.

“Për shqiptarët thuhet se kanë ardhur në Maqedoni në shekullin e 18-të, për Nënën Terezë nuk saktësohet identiteti i saj, për Skënderbeun shtrembërohet prejardhja e tij, etj.,” thotë Arben Ratkoceri.

Në Shoqatën e Historianëve Shqiptarë thonë se Akademia e Shkencave të Maqedonsië ende vazhdon të jetë e ndikuar nga teza që janë përdorur nga akademia e mëparshmë serbe.

“Akademia e Shkencave të Maqedonisë, si kopje e keqe, nxjerr atë qëndrim të Akademisë Serbe të Shkencave se shqiptarët kanë ardhur në këto troje në shekullin 18-të dhe me dhunë,” thotë Skënder Asani i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë.

Por akademikët që kanë përpiluar këtë Enciklopedi thonë se janë bazuar në fakte.

Enciklopedia përshkruan popullin maqedonas si “sllav”, edhe pse për momentin po ndërmerren fushata që sugjerojnë se maqedonasit janë me prejardhje antike të Maqedonisë së lashtë dhe pasardhës të Aleksandit të Madh.

Vlerësohet se Enciklopedia përmban edhe figura dhe ngjarje të diskutueshme edhe për popullin maqedonas, por akademiku Vllado Kambovski thotë veprat shkencore mund të ngjallin edhe debat.

“Çdo vepër shkencore mund të shkaktojë reagime, por reagimet duhet të jenë mbi baza shkencore dhe jo mbi baza të tjera”, thotë zoti Kambovski.

Enciklopedia u promovua të mërkurën dhe pranohet se ende nuk është shqyrtuar nga opinioni më i gjërë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>