BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 11 shtator 2009 - 14:49 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Si ka ndikuar kriza ekonomike tek shqiptarët në Greqi

Banka të Greqisë
Kriza ekonomike ka ndikuar në uljen e remitancave të emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët megjithatë, vazhdojnë të dërgojnë para tek të afërmit e tyre në Shqipëri, ndonëse me shuma më të vogla se më parë.

Një tjetër arsye e uljes së remitancave, sipas një studimi, ka të bëjë me faktin se një pjesë e konsiderueshme emigrantëve kanë vendosur të qëndrojnë përgjithmonë në Greqi dhe t’i investojnë aty kursimet e tyre.

Sipas një studimi, rreth 75% e emigrantëve shqiptarë në Greqi kanë të paktën një llogari bankare. Studimi, i kryer nga Universiteti i Maqedonisë Perëndimore, me qendër në Selanik, gjithashtu bën me dije, se kursimet vjetore të çdo familjeje shqiptare në Greqi janë mesatrisht 5.390 euro.

Kjo shifër rezulton pasi hiqen të gjitha shpenzimet e nevojshme për jetesë e shkollim të fëmijve, por edhe një shumë mujore që pjesa më e madhe e emigrantëve që u pyetën në kuadër të studimit, rreth 70%, u dërgojnë familjarëve të tyre, kryesisht prindërve, në atdhe.

Megjithëse efektet e krizës ekonomike po bëhen përditë e më të ndjeshme edhe në Greqi, emigrantët sakrifikojnë me plot kuptimin e fjalës, veç që kuota e përmuajshme që ata dërgojnë në Shqipëri, të mos mungojë, ndonëse tani mund të jetë e reduktuar.

Faktin se dërgesat vazhdojnë, por jo me shuma të konsiderushme, e vërteton edhe zonja Demada Muzaka, drejtoreshë e operacioneve të bankës Intesa San Paolo, dega Greqi, një bankë që operon kryesisht me emigrantët shqiptarë.

Sipas bankieres shqiptare, ulja e transfertave për blerje banesash apo trojesh, lidhet drejtpërdrejtë me krizën ekonomike.

Por kjo ulje fondesh ka një efekt direkt apo indirekt, edhe për vetë ekonominë greke, siç vë në dukje gazeta vendase, Kathimerini.

Së pari, sipas gazetës, pse këto remitanca në masë të madhe mbështesin ekonomitë ku kanë investuar kompanitë greke, siç është rasti i Shqipërisë.

Dhe së dyti, pse dërgimi i rmitancave përbën një burim të ardhurash për vetë bankat në Greqi.

Nga ana tjetër, studimi i universitetit të Maqedonisë Perëndimore, që u bazua në anktetimin e më shumë se 700 emigrantëve shqiptarë, i jep edhe një shpjegim tjetër uljes së remitancave.

Kjo ka të bëjë jo aq me krizën ekonomike, që gjithsesi ka ndikimin e saj, se sa me fazën e pjekurisë në të cilën ka hyrë tashmë emigracioni shqiptar, thuhet në përmbldhjen e studimit të publikuar në internet.

“Kuotat e remitancave ose stabilizohen ose reduktohen, për faktin e thjeshtë se shumë emigrantët shqiptarë, ose kanë filluar të mendojnë për një qëndrim më afatgjatë se më parë, ose përgjithmonë, theksohet në studim, duke si sjellë si shembull faktin se 25% e të pyeturve kanë thënë se dëshirojnë të kthehen në atdhe në njëplan afatgjatë, ndërsa 40% e tyre dëshirojnë të qëndrojnë përgjithmonë në Greqi.

Sipas Bankës Kombëtare të Greqisë, 90% e emigrantëve shqiptarë në këtë vend, janë klientë të bankave vendase dhe numri i llogarive bankare që posedojnë shqiptarët, arrin në 250 mijë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>