|
Migrimi dhe recesioni global | |||||||||||||||||||||||
Në kuadër të një serie programesh në lidhje me ndikimin e krizës ekonomike globale në jetën tonë të përditshme, BBC ndalet në luhatjet e treguesve të migracionit. Jemi ndalur në përvojat individuale të njerëzve në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe atë nga vende të rajonit si Greqia. Por le t'i hedhim kësaj çështjeje një vështrim më global. Dr Dilip Ratha është ekspert i Bankës Botërore për çështjet e migracionit dhe remitancave (apo parave që migrantët u dërgojnë të afërmve të tyre ne vendet e origjinës.) Në një intervistë për BBC-në eksperti i Bankës Botërore flet për ndikimin që mund të ketë pasur në ekonominë globale luhatja e fluksit të migrimit që sugjeron raporti më i fundit i komisionuar nga BBC. DR Ratha: Në fakt luhatja ka sjellë humbje për të gjithë, sepse migrimi është përfitim për të gjithë të interesuarit. Perfiton vetë migranti. Përfiton punëdhënësi dhe familja e migrantit e gjatë procesit të migrimit përfitojnë edhe vetë shtetet që kanë të bëjnë me të. Nëse ndalojmë migrimin, atëherë të gjithë dalin të humbur.
Le ta zëmë se një kompani në Mbretërinë e Bashkuar e ka ndjerë krizën, vuan pasojat e mosarkëtimit të parave për prodhimet a shërbimet dhe duhet të ulë koston, të mobilizojë fuqi më të lirë punëtore, punonjës më efikasë e më produktivë. Nëse kompania në fjalë pengohet në këtë proces, ajo do të ketë humbje. Por në fund të fundit, kompanitë janë ato që duhet të shërbejnë si motore të rritjes ekonomike. BBC: Por a nuk duhet, ndoshta, që në vende si Franca, me tregues të rënies së shpejtë të ekonomisë dhe papunësi në radhët e popullsisë vendase, vendet e punës t'u ofrohen qytetarëve francezë? DR Ratha: E kuptoj kështu duket gjendja nga jashtë, por po ta studiosh atë më në hollësi, çështja shtrohet nëse është më mirë t'i ofrosh punë një individi tjetër, apo t'ia mundësosh një kompanie punësimin e sa më shumë individëve, e që ajo të vazhdojë të punësojë personel edhe për shumë vite të tjera, pra, nëse ia vlen ta ndihmosh një kompani që të mbijetojë. BBC: Pra, a po thoni se inkurajimi i migracionit, apo përpjekja për t'u kthyer tek kuotat e mëparshme të tij, do të shërbente në një farë mënyre për vajisjen e mekanizmit të ekonomisë botërore? DR Ratha: Po, në një farë mënyre po them pikërisht këtë. Praktikisht po mbroj idenë se punëdhënësve u duhet dhënë dorë e lirë për të punësuar vetë kë të duan, personat më të përshtatshëm. BBC: Banka Botërore thotë se detyra e saj është ulja e varfërisë. Si ka ndikuar recesioni në jetën e migrantëve dhe të atyre që në fakt duan të migrojnë, por që tani nuk kanë mundësi? DR Ratha: Përfitimet nga migrimi janë të ndjeshme. Një shembull konkret lidhet me sasinë e të hollave që migrantët u çojnë familjeve të tyre në atdhe. Janë ato që njihen me termin remitanca. Vitin e kaluar, në 2008-n, remitancat e kaluan shifrën 300 miliard dollarë. Me fjalë të tjera, kjo shifër është tri herë më e lartë se e gjithë ndihma zyrtare e marrë së bashku. Këto të holla që shkojnë në buxhetin e ekonomisë familjare kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e varfërisë së asaj familjeje. BBC: Pra, familjet në vendin e origjinës së migrantit nuk po e ndjejnë krizën? A po marrin ato të njëjtat sasi të hollash si dikur? DR Ratha: Po, ato po e ndjejnë krizën, por jo aq sa kishim menduar. Po vëmë re se remitancat vazhdojnë të ruajnë qëndrueshmërine e tyre. Nuk po bien aq sa pritej. Arsyeja që remitancat vazhdojnë të mbahen ka të bëjë, së pari, me faktin se interesimi për migrim vazhdon. Nëse vitin e kaluar udhëtonin jashtë shtetit 100 persona, sivjet prapë kemi diku 40-60 syresh që nisen drejt një vendi tjetër për të punuar. Ka migrantë të tjerë që vazhdojnë të qëndrojnë në vendet që kanë zgjedhur dhe përpiqen të kursejnë të holla, duke lënë pa ngrënë ndonjë vakt, duke banuar disa vetë bashkë në një banesë. Me paratë e kursyera nga një vakt në një vend si Britania, ta zëmë, mund të sigurohen shjetë vakte ushqimore në vende si Bangladeshi. BBC: 300 miliardë dollarë është një shumë e madhe parash. Ju thoni se një sasi e tillë të hollash është shpërndarë vitin e kaluar në formën e remitancave nga migrantët. Po të shqyrtojmë të ardhmen afatmesme me shenja të rritjes ekonomike në disa prej vendeve të mëdha në zhvillim, si Kina, India e Brazili, a parashikoni që remitancat të vazhdojnë dhe a mendoni se ato do të rriten më tej, krahas shifrave të migracionit? DR Ratha: Po, unë parashikoj që niveli i migracionit të rritet shumë dhe në fakt do të ketë më shumë migrantë që do t'i drejtohen destinacioneve migratore në jug. Në shumë vende popullsia po plaket, gjë që sjell nevojën për migrantë të rinj që duhen për të punuar dhe kontribuar në sistemet e pensionit. Kështu që në aspektin afatgjatë, migrimi do të shënojë rritje, në kuadër të globalizimit, mendoj se do të shohim se theksi do të vihet tek migrimi, gjë që nuk e kemi vënë re më parë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||