BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 02 shtator 2009 - 09:38 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Rishikim për herë të dytë i buxhetit

Maqedoni
Në Maqedoni, qeveria është duke shqyrtuar shkurtimin e buxhetit si pjesë e masave kundër krizës ekonomike.

Prej muajsh, ekspertët dhe vëzhguesit ekonomikë sugjeronin shkurtime serioze të buxhetit.

Një deklaratë të tillë alarmante bëri edhe ish ministri i financave, Trajko Sllavevski, kur u ndërrua nga posti.

Tani pas disa muajsh, qeveria po shkurton buxhetin për herë të dytë.

Parashikohen të shkurtohen rreth 70 milionë euro. Shkurtimet nga buxheti do të prekin thuajse të gjitha ministritë, do të lihen anash vetëm projektet që janë të parashikuara sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe euro integrimeve.

Me rishikimin e buxhetit megjithatë parashikohet rritja e pensioneve për dypërqind.

Ministria e Finnacave pranon se është shënuar rënie e zhvillimit ekonomik, por kryeministri megjithatë thotë se me masat që po ndërmerren deri në fund të vitit do të shënohet rritje ekonomike:

“Nuk do të thotë se situata është e mirë, por për të parë se në çfarë situate jemi, duhet të krahasohemi me vendet e tjera, për të parë se si po përballemi me krizën ekonomike”, u shpreh optimist kryeministri Gruevski.

Vëzhguesit thonë ndërkohë se masat e fundit të qeverisë mund edhe të mos sjellin rezutatat e parashikuara për shkak të vonesës kur ato ndërmerren.

Visar Ademi është analist biznesi pranë USAID:

"Masën si të tillë, vetëm nëse ka shkurtime dhe nuk do të ketë investime, unë nuk e shoh si pozitive”.

Qeveria është e bindur se vendi do të tejklojë me shpejtësi rënien ekonomike, të cilën tani e pranon se ekziston. Këto vlerësime janë në kundërshtim me analizat e disa vëzhguesve ekonomikë të cilët thonë se vendi prej kohësh ka qënë në recesion dhe do të duhet më shumë kohë që ekonomia ta rimarrë veten.

Opozita ka kritikuar qeverinë për dështim në politikat ekonomike, shtylla kryesore me të cilën ai mori pushtetin.

Por qeveria nuk pranon këto akuza dhe përgjegjëse për situatën ekonomike e sheh tek kriza globale.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>