|
Rezultati paraprak "nuk pranohet" nga opozita | |||||||||||||||||||||||
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Tiranë, Leonard Olli, ka shpallur rezultatin paraprak të zgjedhjeve të 28 qershorit. Zoti Olli tha se Aleanca për Ndryshim e kryesuar nga Partia Demokratike, ka marrë 46.9% të votave ose 71 mandate për Kuvendin e ri. Ndërsa Bashkimi për Ndryshim i kryesuar nga Partia Socialiste ka marrë 45.36% të votave ose 65 vende në parlament dhe Aleanca Socialiste për Integrim ka marrë 5.56% ose 4 mandate. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të numërojë kutitë e votimit të ardhura nga dy zona në Qarkun e Lezhës dhe Qarkun e Fierit. Deri në shpalljen e rezultatit paraprak ishin numëruar votat në 4704 qendra votimi nga 4753. Sipas zëdhënësit të KQZ-së afro 50% e elektoratit ka marrë pjesë në votime. Kundërshtime Opozita e ka kundërshtuar shpalljen e rezultateve. Ajo pret që të numërohen të gjitha votat. Presidenti i Asamblesë së Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, e cilësoi deklarimin e KQZ-së si “provokim nga ana e kryeministrit Sali Berisha". Sipas zotit Ruçi shpallja e rezultatit paraprak ishte "e paligjshme dhe e pavërtetë". Edhe anëtarët e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e konsideruan të paligjshëm shpalljen e rezultatit nga zëdhënësi i KQZ-së. Ata thanë se procesi i numërimit të votave nuk ka përfunduar, procesi vazhdon dhe se rezultati mund të jepet pas numërimit të gjithë votave dhe pas përfundimit të ankimimeve. Procesi Më herët zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, kishte thënë se rezultati përfundimtar do të jepej kur të përfundojë gjithë procesi dhe procedurat e ankimimit sipas Kodit Zgjedhor. Në ditën e gjashtë të këtij procesi, SHBA përmes ambasadorit në Tiranë, John Withers, bënë thirrje për përfundimin në mënyrë të rregullt, jo partiak dhe profesional të procesit të numërimit të votave. Zgjedhjet janë një test për të konfirmuar kredencialet demokratike të Shqipërisë dhe Bashkimi Evropian ka thënë se një proces i rregullt do ta ndihmojë vendin që t'i afrohet më shumë Evropës. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||