|
Zëdhënësi i OSBE-ODIHR-it flet për BBC-në | |||||||||||||||||||||||
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë vlerëson se zgjedhjet në Shqipëri kanë treguar përmirësime, por thotë se ka pasur edhe shkelje. Misioni Ndërkombëtar Vëzhgues i Zgjedhjeve tha se zgjedhjet kanë shënuar progres të prekshëm, por në veçanti gjatë fushatës janë vërejtur shkelje që minonin besimin e publikut në procesin elektoral. Ragip Luta bisedoi me zëdhënësin e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut, Jens-Hagen Eschenbacher dhe fillimisht e pyeti se çfarë kanë qenë përmirësimet dhe çfarë shkeljet. Eschenbacher: Vërtet, ne kemi arritur në përfundimin, të paktën në këtë etapë, meqë procesi nuk ka përfunduar, ende jemi në mes të numërimit të votave dhe të përpunimit të rezultateve që duhet të përfundohen, por në këtë etapë mund të themi se ka pasur përmirësime dhe këto në veçanti kanë të bëjnë me futjen në zbatim të procedurave të reja të regjistrimit të votuesve dhe identifikimit të tyre. Pas rekomandimeve të kahmotshme të OSBE-së, tani ka proces të duhur identifikimi, prandaj baza për zgjedhjet është përmirësuar. Dita e zgjedhjeve, në përgjithësi ishte e qetë dhe paqësore e me atmosferë pozitive. Por kemi vërejtur edhe disa probleme dhe shkelje, në veçanti gjatë fushatës, për shembull, presion mbi votues apo përdorim të resurseve shtetërore për qëllime të fushatës dhe të meta të tilla. BBC: Por zgjedhjet mund të përshkruhen si të lira e të ndershme, apo jo? Eschenbacher: Ne nuk përdorim këta terma për të përshkruar zgjedhjet. Ne vlerësojmë zgjedhjet me përkushtimet e OSBE-se dhe nuk mund të reduktohen me dy fjalë. Zgjedhjet janë proces tepër kompleks për t'u përshkruar në një mënyrë aq të shkurtër. Pra, ka pasur përmirësime dhe ka pasur edhe një numër problemesh që duhen zgjidhur në mënyrë që Shqipëria të plotësojë tërësisht standardet ndërkombëtare. Por më duhet të them përsëri se është tepër herët në këtë pikë të jap një vlerësim të përgjithshëm meqë ende nuk kemi qenë në gjendje të vëzhgojmë në tërësi numërimin e votave që po vazhdon edhe më tej. BBC: Por mund të thuhet se ishin të një standardi ndërkombëtar, apo jo? Eschenbacher: Përsëris se nuk mund të bëjmë një vlerësim të përgjithshëm në këtë moment. Duhet të presim që procesi të përfundojë. Numërimi i votave dhe përpunimi i rezultateve është aspekt me rëndësi i këtij procesi zgjedhor. Kjo është një fazë e procesit që ka pasur probleme në të kaluarën. Në proces janë futur në zbatim garanci dhe shpresoj se nuk do të ketë probleme të mëdha ditët e ardhshme. Por fakti se procesi nuk është përfunduar do të thotë se nuk mund të japim një vlerësim të përgjithshëm në këtë pikë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||