|
Mitingjet përmbyllëse të fushatës në Tiranë | |||||||||||||||||||||||
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste mbyllin sot në mbrëmje fushatën zgjedhore me dy mitingje në Tiranë në të njëjtën ore dhe pranë njëra-tjetrës. Policia i druhet përplasjes së përkrahësve. Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit mbyllet sot në të gjithë Shqipërinë për t'i hapur rrugën reflektimit të votuesve para votimit të së djelës. Dy partitë kryesore, Partia Demokratike në pushtet dhe Partia Socialiste në opozite i kanë bërë thirrje përkrahësve të tyre në të gjithë vëndin të bashkohen në Tiranë në mitingjet përmbyllëse tradicionale. Partia Demokratike pritet ta zhvillojë mitingun e saj në sheshin "Skënderbej", ndërsa Partia Socialiste i fton përkrahësit e saj të mblidhen para Kryeministrisë. Mirëpo, policia e Tiranës i druhet përplasjes së përkrahësve përkatës nga afria e mitingjeve. Mbrëmjen e së premtes policia nuk lejoi ngritjen e podiumit të mitingut socialist pranë kryeministrisë. Ajo tha se skena socialiste duhej të ngrihej vetëm në ditën e mitingut dhe se socialistët nuk kishin paraqitur leje në polici. Drejtues të PS thanë se kishin dhjetë ditë që kishin paraqitur kërkesën për lejë dhe se nuk kishin marrë përgjigje. Mësohet se policia ka dhënë lejen për mitingun socialist tek sheshi "Nënë Tereza", tek Korpusi i Universitetit deri pranë selisë së qeverisë, por socialistët po i bëjnë thirrje përkrahësve të tyre të mblidhen para Kryeministrisë. Mëngjesin e të premtes policia bllokoi një segment rrugor të bulevardit "Dëshmorët e Kombit", që përfshin vëndin, ku socialistët duan të zhvillojnë mitingun përmbyllës, ndërsa grupe përkrahësish të PS rrinin të heshtur në bulevard. Situatat po ndiqen me vëmëndje nga perfaqësuesit e OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës në Tiranë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||