|
Masa të reja të forta në Greqi | |||||||||||||||||||||||
Qeveria greke ka shpallur një paketë masash me qëllim përballimin e emigracionit klandestin. Në një përpjekje për të “përkthyer” mesazhin e zgjedhjeve, qeveria greke e ka përqëndruar reagimin e vet në forcimin e masave policore dhe gjyqësore, që sipas saj do të rritin ndjenjën e sigurisë tek qytetarët. Këshilli i ministrave ka miratuar një paketë masash, ku përfshihet penalizimi i personave që gjatë demostratave fshehin identitetin e tyre, si dhe regjistrimin e gjithë telefonave celularë me kartë. Sipas ministrit të brendshëm, Prokopis Pavlopulos, dy projektligjet janë gati dhe do të diskutohen në sesionin veror të Parlamentit, që fillon të datë 16 Qershor. Ndërkaq, ky vendim i qeverisë ka shkaktuar reagime të ashpra nga ana e opozitës, reagime që lidhen jo vetëm me përmbajtjen e dispozitave, por edhe për faktin se do të diskutohen në sesionin veror, ku merr pjesë një numër tepër i kufizuar deputetësh Në mbledhjen e së enjtes, këshilli i ministrave miratoi një paketë masash edhe për luftimin e emigracionit klandestin. Në këto masa përfshihet penalitete shumë të rënda për trafikantët, si dhe krijimi i qendrave pritëse për klandestinët, në skajet kufitare të Greqisë. Zëvendësministri i rendit, Kristos Markojanakis tregoi masat që ka marrë qeveria: "U vendos ashpërsimi i sanksioneve për trafikantët. Më tej u vendos krijimi i qendrave pritëse, ku do të mbahen gjithë emigrantët e paligjshëm, që do të arrestohen dhe afati i mbajtjes në këto qendra do të jetë deri 12 muaj, aq sa përcakton udhëzimi i Komisonit Europian, në kohën që deri më tani, ky afat ishte 3 muaj”, tha zëvendësministri i rendit, Kristos Markojanakis. Ai tha se në kuadër të këtyre masave do të zgjidhet edhe çështja e krijimit të një xhamie dhe të një varreze për myslimanët në Athinë. Reagimi i opozitës greke Zëdhënësi i partisë më të madhe opozitare, PASOK, e akuzoi qeverinë se e zbuloi befas problemin e emigracionit klandestin vetëm pak ditë pas zgjedhjeve për në parlamentin europian, që Demokracia e Re në pushtet i humbi, edhe për shkak se një pjesë e votuesve të saj votuan për partinë e ekstremit të djathtë LAOS, që e kishte bërë flamur elektoral çështjen e emigracionit. Qeveria po e përdor këtë çështje për të rifituar elektoratin e saj, tha zëdhënësi i PASOK-ut. Por ministri i brendshëm, Prokopis Pavlopulos, tha se kjo nuk ishte e vërtetë: "Dua të theksoj për gjithë ata që gjykojnë se këto diskutime në këshillin e ministrave u bënë me shkak rezultatin e zgjedhjeve, se kjo nuk ka asnjë lidhje. Sepse arsyeja e mbledhjes së sotme ishte samiti i Bashkimit Evropian, ku do të marrë pjesë kryeministri dhe ku çështje thuajse ekskluzive, është emigracioni klandestin." Zyra e shtypit e kryeministrit Karamanlis, ka publikuar edhe një letër që ky i fundit i ka dërguar kryesuesit të radhës së BE, kryeministrit çek, Jan Fisher, ku i kërkon që të vihet në rend të ditës çështja e qëndrimit të përbashkët mbi emigracionin klandestin dhe ajo e krijimit të një trupi evropian për mbrojtjen e kufijve detarë. Masat e tanishme për emigracionin klandestin po merren si reagim ndaj rezultatit të dobët që Demokracia e Re në pushtet arriti në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Por sipas analistëve, shkaku i pakënaqësisë së elektoratit, buronte më së shumti në ngathtësinë e qeverisë për përballimin e krizës ekonomike dhe sidomos në skandalet e njëpasnjëshme që dolën në dritë vitin e fundit. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||