|
Aung San Suu Kyi del në gjyq | |||||||||||||||||||||||
Udhëheqësja e opozitës në Birmani, Aung San Suu Kyi, ka dalë në gjyq e përballur me akuza që kanë të bëjnë me vizitën që i bëri asaj në shtëpi një amerikan që kaloi me not liqenin pranë shtëpisë së saj më herët këtë muaj. Një avokat i zonjës Suu Kyi, e cila përballet me burg nga 3-5 vjet, thotë se ajo nuk do të pranojë akuzat sepse nuk ka bërë ndonjë shkelje pasi amerikani erdhi i paftuar në shtëpinë e saj. Ai thotë se ajo i kërkoi atij të largohet, por ai tha se kishte qenë i lodhur dhe u lejua të kalonte natën atje. Por për çdo rast, shtëpia e saj në Rangun është një nga më të mbrojturat. Përkrahës të zonjës Suu Kyi besojnë se autoritetet ushtarake e kanë lejuar vetë personin të arrinte në shtëpinë e saj, pasi ai u përpoq të bënte të njëjtën gjë nëntorin e kaluar. Zgjedhjet përpara Një korrespondent i BBC-së thotë se akuzat janë parë nga shumë si të pabaza dhe se vendimi "fajtore" do të bëjë që politikania më popullore në Birmani të jetë në burg gjatë përgatitjeve për zgjedhje vitin tjetër. Nëse dënohet, 63-vjeçarja Suu Kyi mund të përballet me gjashtë vjet të tjera në burg. Gjeneralët që drejtojnë Birmaninë kanë premtuar të mbajnë zgjedhje shumë partiake vitin tjetër. Veprimtarët pro-demokracisë thonë se akuzat e fundit kundër Suu Kyi-së synojnë që ta mbajnë atë nën arrest që të mos kthehet në qendër të pakënaqësisë. Këto akuza kanë shkaktuar indinjatë ndërkombëtare. Qeveria britanike është shprehur për këtë çështje. Ministri në Foreign Office, Bill Rammell, foli për BBC-në. Bill Rammell: Ne jemi shumë të shqetësuar. Arrestimi i Aung San Suu Kyi-së është shumë shqetësues dhe një gabim i rëndë. Dhe sugjeron se regjimi i Birmanisë synon të gjejë çdo preteks sado i pabazuar për të shtuar mbajtjen e saj nën arrest. Duhet të jemi të qartë. OKB-ja është e vendosur se arresti i Aung San Suu Kyi-së shkel si ligjet ndërkombëtare ashtu edhe ato birmaneze. Nuk mendoj se rruga që po ndjek regjimi sugjeron se mund të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2010 dhe të kenë besueshmëri, ndërsa mbahen të burgosur politikë në këtë mënyrë. Ne u bëjmë thirrje të fuqishme udhëheqësve birmanezë të tërhiqen nga ky hap kundërproduktiv, ta lirojnë Aung San Suu Kyi-në dhe të burgosur të tjerë politikë dhe ta fusin Birmaninë në një rrugë të vërtetë drejt stabilitetit dhe begatisë. BBC: Duket se pas këtyre protestave dhe shprehjeve të indinjatës nuk ka ndonjë kërcënim. Edhe në vitin 2007 kur para kamerave të botës u vranë dhe plagosën demonstrues nëpër rrugë nga OKB-ja erdhi një deklaratë shumë e butë jo detyruese, madje as edhe ndonjë rezolutë. Ku është presioni? Bill Rammell: Komuniteti ndërkombëtar mund të shkojë deri aty ku mundet. Mbretëria e Bashkuar, sigurisht ka qenë në krye të atyre që kanë shprehur shqetësim. Dhe për sa i përket sanksioneve, regjimi i sanksioneve të Bashkimit Evropian është më i ashpri në botë dhe ky vazhdon të jetë opinioni ynë. Por ne gjithashtu jemi shumë të qartë se, nëse regjimi birmanez është i gatshëm të ecë përpara, nëse është i gatshëm ta lirojë Aung San Suu Kyi-në dhe të burgosur të tjerë politikë atëhere ka një mundësi të vërtetë për angazhim. Por, për momentin, kjo nuk duket se është drejtimi nga po shkojnë ata. Dhe mendoj se ajo që është me të vërtetë shqetësuese për këtë incident është se duket se regjimi po kërkon çdo preteks për ta zgjatur arrestin e saj shtëpiak dhe për t'i bërë gjerat më keq. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||