BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 23 prill 2009 - 13:23 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Hyrja e lajmit, kronikës apo intervistës
BBC

Paralajërimi e përgatit dëgjuesin për atë që pritet të vijë në kronikë apo në intervistë/kronikë. Hyrjet e shkruara mirë dhe lidhjet mes materialeve e mbajnë dëgjuesin në program dhe ndihmojnë për t’i dhënë atij ritëm dhe varietet.

Këto janë disa nga rregullat bazë:

Hyrja e një kronike duhet të japë të paktën temën e lajmit, emrin e korrespondentit apo korrespondentes dhe ku ndodhet ai ose ajo.

Hyrja e një interviste duhet të japë elementin kryesor të lajmit ose ngjarjes, arsyen pse është e rëndësishme që të ndiqet më tej, emrin e të intervistuarit dhe titullin, postin apo specialitetin.

Hyrja duhet të japë një ide mbi çështjet që do të diskutohen dhe të shpjegojë termat teknike, titujt dhe çështjet e vështira që do të përmenden në kronikë apo intervistë.

Ajo nuk duhet të përmbajë shprehje që përsëriten fjalë për fjalë në kronikë, veçse në rastet kur ato janë të rëndësishme për të kuptuar materialin, p.sh. një parrullë politike.

Hyrja duhet të tërheqë vëmendjen e dëgjuesit, ta nxisë atë të vazhdojë të dëgjojë dhe, njëherësh, të mos i thotë të gjitha.

Disa ngjarje, si për shembull zgjedhjet, luftërat apo katastrofat, ose faktet, si numri i votuesve apo viktimave është mirë që të mbahen në hyrje dhe të shmangen në kronikë, në mënyrë që ajo të mos ketë nevojë për ndryshime nëse ngjarjet evoluojnë.

Megjithëse hyrja mund të tingëllojë më pak formale se sa lajmi, ajo duhet t’i përmbahet të njëjtave rregulla të saktësisë, cilësimit se kush e ka thënë diçka, etj. Hyrja nuk është vendi për të ofruar opinione.

Është shumë më mirë që hyrja të shkruhet para kronikës apo intervistës. Nëse nuk keni kohë ta shkruani hyrjen, të paktën duhet të mendoni për të, të keni një ide të qartë për thelbin e lajmit dhe pse dëgjuesi do të donte të dëgjonte më shumë në kronikë apo intervistë.

Sa më mirë ta njihni ngjarjen aq më e shkurtër do të jetë hyrja.

Anatomia e hyrjes

Cili është elementi i ri?

Kush ka bërë apo thënë diçka?

Ku dhe kur është thënë apo ka ndodhur diçka?

Si ka ndodhur apo është thënë diçka? (Në ç’rrethana apo formë?)

Pse? (Ndonjëherë jepet kronologjia e ngjarjeve.)

Pse ka rëndësi?

Konteksti ose sfondi i lajmit

Kush mund të ofrojë më shumë informacion? (Këtu përfshihet korrespondenti ose i intervistuari.)

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>