BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 22 prill 2009 - 18:32 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Shpallet buxheti në Britani
Gordon Brown dhe Alistair Darling
Ky ishte një ndër buxhetet më të vështirë prej disa dekadash
Ministri britanik i Financave Alistar Darling ka parashikuar se këtë vit ekonomia do të tkurret 3.5%, shumë më tepër nga vlerësimet e mëparshme.

Duke paraqitur buxhetin në parlament, zoti Darling tha se rënia ekonomike në Britani ishte shkaktuar nga recesioni në shkallë globale dhe kriza më e rëndë që prej më shumë se 60 vjetësh.

"Buxheti që po paraqesim sot do ta ndihmojë Britaninë që të kalojë situatën më të vështirë ekonomike në shkallë globale që prej më shumë se 60 vjetësh. Pasojat e kësaj situate po ndihen në çdo kontinent, në çdo vend, në çdo komunitet", tha zoti Darling

Ministri britanik i financave tha se qeveria parashikon të huazojë mbi 250 miliardë dollarë gjatë këtij viti financiar, më shumë se 12% e GDP-së.

Megjithatë, zoti Darling tha se parashikonte që ekonomia të fillonte të shënonte rritje nga fundi i këtij viti.

Ai tha se vitin e ardhshëm parashikohet një rritje 1.25%, ndërsa në vitin 2011 rritja ekonomike parashikohet të jetë 3.5%.

Duke dhënë hollësi për buxhetin e ri, ministri i financave Alistair Darling tha se Britania pritet të ketë më pak pasoja nga kriza ekonomike se shumë vende të tjera të zhvilluara, përfshirë edhe vendet evropiane që janë në zonën e euros.

"Raporti i FMN-së parashikon se ekonomia britanike do të vuajë më pak se ekonomitë e Gjermanisë, Japonisë, Italisë dhe, në përgjithësi, ekonomitë e zonës së euros gjatë këtij viti. Ekonomia britanike është e diversifikuar, është fleksibël dhe e fortë në përballimin e vështirësive, prandaj ne themi se mund të kemi besim te rimëkëmbja e saj", tha ministri britanik i financave, Alistar Darling, duke paraqitur buxhetin në parlament.

Ai mbrojti politikën e ndjekur nga qeveria e kryeministrit laburist Gordon Brown për më shumë investime në këtë moment në vend të shkurtimit të fondeve.

Ky buxhet, në vazhdën e politikave ekonomike të qeverisë, ka shkaktuar debat në Britani.

Duke reaguar në debatin ku u paraqit buxheti, udhëheqësi i opozitës konservatore, David Cameron, tha se publiku e kishte
humbur besimin te qevera laburiste.

" Sot të gjithë mund ta shohin se në çfarë rrëmuje totale kjo qeveri laburiste dhe ky kryeministër laburist e kanë futur ekonominë britanike. Ne kemi rritjen më të shpejtë të papunësisë në histori, recesionin më të rëndë që prej luftës së dytë botërore, dhe gjendjen më të rëndë të fondeve publike në kohë paqeje. Sot çdo pretendim i kësaj qeverie për kompetencë ekonomike ka vdekur, ka marrë fund", tha udhëheqësi i opozitës konservatore, David Kameron

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>