|
Reagim 'diplomatik' për rastin Bollano | |||||||||||||||||||||||
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, përfaqësueses politike të pakicës greke në Shqipëri, Vangjel Dule ka dënuar vendimin e një gjykate në Shqipëri të anëtarit të partisë së tij, Vasil Bollano. Z. Dule tha se dënimi me burg dhe gjobitja e z. Bollano nga Gjykata e Vlorës, ishte 'i turpshëm', 'i motivuar politikisht'. Gjykata e dënoi z. Bollano, që është dhe kryetar i bashkisë së Himarës me 6 muaj burg, një gjobë 500 mijë lekë dhe me heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike per 3 vjet. Zoti Bollano u akuzua si përgjegjës për heqjen dhe fshirjen e tabelave rrugore në gjuhën shqipe, në aksin kombëtar që kalon nëpër Himarë, në jug të Shqipërisë në vitin 2007. Gjykata e gjeti atë fajtor për shpërdorim detyre, por z. Dule tha se pas vendimit fshiheshin interesa te paligjshme të pronave në zonën e Himarës. Reagim 'diplomatik'
Por reagimi më interesant ndaj dënimit të z. Bollano erdhi papritur nga kryeministri Berisha. Me një gjuhë shumë të përkujdesur diplomatike, ai tha: "interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit". Reagimi i kryeministrit Berisha në mbrojtje të z. Bollano, mund të lidhet edhe me vizitën e pritshme në Tiranë pas pak ditësh të kryeministrit grek Karamanlis. Vendimi i gjykatës kundër dhe deklarata e zotit Berisha në mbrojtje të tij ,mund të shihen si dy anë të së njëjtës medalje. Me njerën qetësohen ndjenjat e acaruara kombëtare prej urdhërit të z. Bollano, me tjetrën i tregohet mysafirit vullneti për të respektuar të drejtat e njeriut, në këtë rast, ato të pakicës greke në Shqipëri. Qeveritë në Shqipëri këtë të fundit e kanë mbajtur mirë parasysh, pasi kanë mësuar tashmë se një votë kundër e Greqisë, kushton mjaft në rrugën e integrimit në Europë. Dhe Maqedonia është një shembull i gjallë për këtë. Apelim Vendimi i gjykatës nuk zbatohet menjëherë, por vetëm nëse i dënuari nuk apelon brenda 10 ditësh. BBC mësoi se zoti Bollano do të apelojë. Më herët përmes avokatëve ai është mbrojtur se urdhërin për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe e kishte dhënë sepse për vendosjen e tyre nuk ishte marrë në konsideratë pushteti lokal. Z. Bollano është vetë përfaqësuesi më i lartë i puhtetit lokal, i zgjedhur dy herë si kryetar i bashkisë së Himarës. Por akuza ka argumentuar se vendosja e tabelave ne akset kombëtare është kompetencë e pushtetit qendror. Zoti Bollano besohet se gëzon mbështetje të mirë në Athinë përderisa ai është edhe drejtues i OMONIA-s, organizatës politike të pakicës greke ne Shqipëri. Vëzhguesit mendojnë se pikërisht këtu qendron liria me të cilën veproi ai për të hequr tabelat në gjuhën shqipe brenda territorit të shtetit shqiptar. Këtu e mori ai ndoshta edhe guximin vitin e kaluar, për të kërkuar autonomi për një zonë të gjerë në jug të Shqipërisë, me qendër Himarën, qytet i banuar në masë nga popullsi greqishtfolëse, por zyrtarisht e njohur si shqiptare e jo si greke. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||