BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 14 janar 2009 - 16:51 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Shqipëria në zgjedhje në 28 qershor

Parlamenti i Shqipërisë
Në zgjedhje do të votohet me sistemin proporcional
Zgjedhjet e Përgjithshme në Shqipëri do të zhvillohen më 28 qershor të vitit 2009.

Kjo është shpallja me dekret që Presidenti Republikës Bamir Topi bëri të mërkurën, ditën kur hyri në fuqi Kodi i Ri Zgjedhor.

Kodi u miratua dy javë më parë me konsesusin e dy partive të mëdha Partisë Demokratike në pushtet dhe Partisë Socialiste në opozitë, por u kundërshtua nga partitë e vogla të kryesuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës bazuar në kompetencat qe i njeh Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, Presidenti Topi dekretoi të dielën e fundit të qershorit, si datën e zgjedhjeve të përgjithshme.

Kodi i Ri Zgjedhor i mundësonte Presidentit vetëm dy alternativa: 21 ose 28 qershorin.

Formalisht Kodi vendos detyrimin për Presidentin që edhe në zgjedhjen e njërës prej këtyre dy datave, të konsultohet me forcat politike.

Nuk ka njoftime se Presidenti ka zhvilluar konsultime të mirëfillta edhe prej faktit se asnjë nga partitë nuk shfaqi preferencë për ndonjërën nga të dy datat.

Pas kësaj, Kuvendit i duhet të vendosë rikompozimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, duke ndërprerë në këtë mënyrë mandatin e KQZ-së.

Sipas Kodit të Ri Zgjedhor fushata elektorale do të fillojë zyrtarisht 30 ditë përpara, dhe do të përfundojë 24 orë para hapjes së kutive.

Në zgjedhjet e këtij viti do të votohet për herë të parë tërësisht për partitë, në një sistem proporcional me bazë qarku.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>