|
BE arrin marrëveshje për klimën | |||||||||||||||||||||||
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për një paketë masash në vlerë disa miliardë dollarëshe për të luftuar ndryshimet klimatike. Presidenti francez, Nicolas Sarkozy vendi i të cilit ka presidencën e rradhës së BE-së, tha se paketa e masave ishte më ambiciozja e arritur ndonjëherë. "Ajo që ndodhi këtu është me rëndësi historike," tha presidenti francez. "Nuk do të gjenia asnjë kontinent tjetër që i ka vënë vetes objektiva të tilla të detyrueshme si ato që sapo i miratuam ne unanimisht. Objektivat mbeten të pandryshuara". Objektivi i BE-së është që të pakësohet me 20 përqind emetimi i karbonit deri në vitin 2020. Njoftohet se masat do të kushtojnë rreth 260 miliardë dollarë. Disa vende anëtare megjithatë i kanë kundërshtuar objektivat ambicioze që vendosen me këtë paketë dhe një korrespondent i BBC-së Johhny thotë se ka shqetësim se lëshimet që u janë bërë vendeve kundërshtare për ta pranuar marrëveshjen, mund ta kenë dëmtuar qëllimin fillestar të saj. Paketë ndihme Po në takimin e fundit të vitit në Bruksel, udhëheqësit e BE-së kanë njoftuar një paketa stimuluese në ndihmë të ekonomisë. Kryeministri britanik, Gordon Brown, tha se ishte arritur një marrëveshje për një paketë stimuluese në vlerë 260 miliardë dollarë. Ajo përfshin mbështetje për sektorët në rrezik, si ai i ndërtimtarisë. Franca dhe Britania, që tashmë kanë zvogëluar taksat për të ndihmuar daljen nga recesioni të ekonomive të tyre, do të kishin dashur që gjithë Evropa të binte dakord për paketën stimuluese. Por ajo u kundërshtua nga Gjermania, që ngurron të kanalizojë kaq shumë para nga fondet publike për ekonominë. Kryeministri britanik Brown tha megjithatë se presidenti i zgjedhur amerikan, Barack Obama pritej të paraqiste një plan të ngajshëm muajin e ardhshëm. Ai tha se Evropa dhe Amerika tani po punonin bashkarisht për të ndihmuar ekonominë globale. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||