|
Obama zgjedh shefin e tij të stafit | |||||||||||||||||||||||
Ka patur reagime të ndryshme ndaj caktimit të parë të profilit të lartë të bërë nga presidenti i ri i zgjedhur, Barack Obama. Një kongresmen republikan, John Boehner, kritikoi konfirmimin e Rahm Emanuel si shef stafi duke thënë se ishte ironike po të konsiderohej premtimi i Obamës se do të udhëhiqte nga qendra. Zoti Emanuel, një strateg i partisë demokratike njihet për stilin e fortë dhe agresiv. Por kryetari i komitetit kombëtar demokrat, Howard Dean, i tha BBC se zoti Emmanuel ishte përzgjedhja e duhur: "Mendoj se çdo president ka nevojë për një person të fortë dhe të zgjuar si shef stafi brenda në Uashington. Unë natyrisht që kam patur përplasjet e mia me Rahm Emanuel, por ai është absolutisht personi i duhur për këtë post dhe jam shumë i kënaqur që senatori Obama ka zgjedhur një person me përvojë që e njeh Uashingtonin që të jetë shefi i stafit të tij." Emërime të tjera Emërimi i radhës pritet të jetë ai i Sekretarit të Thesarit, një post shumë i rëndësishëm në strategjinë për daljen nga kriza ekonomike. Zoti Obama duket se po sheh mundësinë e emërimit të një zyrtari me përvojë në këtë post. Ndër emrat e përmendur janë ish-Sekretari i Thesarit në administratën e presidentit Klinton, Larry Summers, apo ish-drejtuesi i Rezervës Federale, Paul Volcker. Ndërkohë, ka spekulime se zoti Obama do t'i kalojë caqet partiake, duke i kërkuar Sekretarit aktual të Mbrojtjes, Robert Gates, që të qëndrojë në këtë post. Gjatë kësaj jave zoti Obama do të informohet gjerësisht për çështjet e politikës së jashtme. Presidenti i sapozgjedhur amerikan duhet të bëjë emërimet kryesore në administratën e tij deri në datën 20 janar kur e merr zyrtarisht postin. Për këtë është krijuar një komision për tranzicionin, për t'iu mundësuar zyrtarëve të sigurisë dhe ekonomisë të administratës së Bushit që të takohen me homologët e tyre në ekipin e Obamës. Qindra poste duhen mbushur në një periudhë prej 10 javësh. Presidenti Bush ka premtuar se do ta informojë presidentin e sapozgjedhur Obama në hollësi për çdo vendim të rëndësishëm që do të marrë. Zoti Obama dhe këshilltarët e tij kryesorë kanë marrë informacione të detajuara për çështjet e sigurisë kombëtare. Por duke filluar nga dita e enjte ai do të marrë raportet e përditshme që presidenti merr nga CIA. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||