|
Raca: A është faktor në zgjedhjet amerikane? | |||||||||||||||||||||||
Çështja e racës - një çështje që nuk mund ta shmangësh, por që është shpërthyese në SHBA - është trajtuar me shumë kujdes nga të dy kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara - senatori demokrat me ngjyrë Barak Obama dhe senatori republikan John McCain. Madje, shumë komentatorë amerikanë thonë se në përgjithësi ata janë munduar ta injorojnë atë gjatë fushatës. Unë për rreth dy javë udhëtova nëpër disa shtete të Amerikës me një autobus të BBC-së që kaloi nëpër të gjithë vendin për t'u dhënë zë opinioneve të amerikanëve të thjeshtë gjatë kësaj fushate elektorale. Gjatë ndalesave në qytete të ndryshme vihej re se çështja e racës dilte në pah gjithnjë e më shpesh, ndërsa po bëhet gjithnjë e më e mundur që SHBA të zgjedhë presidentin e parë me ngjyrë në historinë e vendit. Historiani Michael Birkner thotë se mundësia e një presidenti me ngjyrë është diçka e re në Shtetet e Bashkuara. "Kjo është diçka e re dhe i frikëson disa njerëz, por nuk do të jetë aq e frikshme kur të ndodhë në fakt, është pritja që i shqetëson më shumë njerëzit - është pak sikur shkon tek dentisti," thotë zoti Birkner. "Injoranca duhet kapërcyer, dhe injoranca po kapërcehet," thotë ai. Obama, i biri një nëne të bardhë nga Kansasi në SHBA dhe babai zezak nga Kenia, ka hyrë tashmë në histori si kandidati i parë zezak i një partie kryesore dhe kandidatura e tij u ka dhënë energji votuesve të pakicave si kurrë më parë. E pranishme në fushatë Vetë kandidatët nuk po e përmendin këtë çështje gjatë fushatës, por mbështetësit e tyre po e amplifikojnë këtë çështje në mesin e publikut. Midis mbështetësve demokratë: kongresmeni John Lewis, demokrat me ngjyrë nga Xhorxhia, e ka akuzuar fushatën republikanëve se "po mbjell farat e urrejtjes dhe ndarjes" duke sjellë ndërmend atmosferën e viteve 1960, apo kongresmeni tjetër me ngjyrë demokrat John Murtha nga Pensilvania, që iu referua pjesës perëndimore të shtetit të tij si "rajon racist". Në kampin republikan, një grup në Kaliforni shpërndau literaturë kundër-Obamas me imazhe stereotipe të Amerikës së zezë - shalqi, brinjë dhe një kovë me pula të skuqura. Një grup tjetër vendosi në reklamat e fushatës pastorin militant zezak Rev. Jeremiah Wright. Raca ka qenë gjithnjë në sfond të fushatës së zgjedhjeve. Fushata e Obamës reagon shpejt ndaj ndonjë sugjerimi që përpiqet të shfrytëzojë ngjyrën e lëkurës së Obamas, dhe këshilltarët e McCainit kanë shumë frikë se mos quhen racistë. Po çfarë mendojnë votuesit? A do të mendojnë ata kur të shkojnë në kutinë e votimit më 4 nëntor se po votojnë për një kandidat zezak, apo thjesht një kandidat. Gjatë një ndalese në Harlem, Nju Jork, takhem me Carka Denis, që thotë se është mbështetëse e Obamas. "Ai po përpiqet shumë ta bëjë të qartë se, nëse ju mendoni për të se është një kandidat zezak, ai është gjithashtu një kandidat që po punon për të gjithë dhe e beson me të vërtetë këtë," tha zonja Denis. Në biseda me amerikanë të thjeshtë, në përgjithësi të thonë se çështja e racës nuk është problem për zgjedhësit - anketat tregojnë se vetëm rreth 10 përqind e votuesve mund të konsiderojnë racën si faktor kur të votojnë. Megjithatë ndjehet ende ndarja. Gjatë udhëtimit të autobusit të BBC-së, në një ditë me diell gjatë një karnavali në një shkollë në Akron, Ohio, takuam një burrë që dukej shumë muhabetqar. Ai dhe gruaja e tij ishin ulur në disa karrike prej bezeja para një makine të tzre të vjetër klasike. Folëm pak për politikë kur ai tha se ai ishte nje demokrat i betuar, por ai "nuk mund të votonte për një negër" - fjala që përdori ai. Ai tha se senatori Obama ishte musliman. Ne i thamë: "Ai nuk është musliman, ai është i krishterë, zotni! - por ai nuk donte të bindej. Në Getisburg, në Pensilvaninë fqinje, e pyes Dave Clark, që vjen nga Korpusi i Marinës, se a është gati Amerika të votojë për një president me ngjyrë? "Definitivisht them se ne jemi gati për këtë, nëse ai është personi i drejtë për këtë post, unë nuk mendoj se është, por them se definitivisht jemi të gatshëm për një president me ngjyrë," thotë zoti Clark. A besojnë vetë afrikano-amerikanët se një person me ngjyrë mund të bëhet president i SHBA-së? Ne biseduam me disa burra në një restorant popullor në Brooklin, Nju Jork. Ata ishin në të 80-at, pra nga një gjeneratë që ka provuar disktiminimin e drejtëpërdrejtë racor në vitet 1950. Mendimet e tyre shkonin nga "patjetër që do të ndodhë" në "do ta besoj kur ta shoh". Unë bisedova me disa persona nga qytete të ndryshme amerikane. Carla Denis, Harlem: Bob Dic, Çikago Terry Bowles, Getisburg Nëse Obama fiton garën për Shtëpinë e Bardhë - a do të bëhet racizmi si nënteks i gjithë mandatit të tij, apo presidenca e tij do të qetësojë emocionet që janë ende të larta pas katër dekadash të lëvizjes për të drejtat civile dhe 150 vitesh nga zhdukja e skllavërisë? Gjatë fushatës senatori Obama është munduar t'u japë përgjigje këtyre dyshimeve: "Nuk ka një Amerikë të zezë dhe një Amerikë të bardhë - ka një Shtetet e Bashkuara të Amerikës," tha ai gjatë një fjalimi në fushatë. "Unë i kam rrënjët në komuntetin afrikano-amerikan, por nuk jam i kufizuar tek ai," tha zoti Obama pas akuzave se ai ishte mbështeste zërat militantë nga komuniteti afrikano-amerikan në SHBA. Vota në 4 nëntor do të tregojë nëse ai i ka bindur amerikanët se ai është kandidat i të gjithëve. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||