|
Kongresi skeptik për planin e ndihmës | |||||||||||||||||||||||
Plani i administratës së presidentit amerikan, George Bush, për të ndihmuar industrinë financiare të Amerikës për të dalë nga kriza, ka hasur në opozitë të fuqishme në Kongres. Gjatë një seance në Komisionin e Senatit për Sistemin Bankar, një komision ky me ndikim, udhëheqësi republikan dhe ai demokrat, shprehën skepticizëm. Kreu i Komisionit, demokrati Chris Dodd, e cilësoi planin të papranueshëm. Kreu i grupit të republikanëve Richard Shelby, tha se nuk do ta vinte vulën në të. Plani, i hartuar nga autoritetet pas krizës financiare, është më i madhi i llojit të vet në historinë e SHBA. Rezerva Ai parashikon krijimin e një fondi në vlerë 700 miliardë dollarë për të ndihmuar institucionet financiare në vështirësi. Kreu i Rezervës Federale, Ben Bernanke, dhe sekretari për Thesarin, Henry Paulson, i ka bërë thirrje Kongresit që ai të miratohet sa më shpejt. Të dy partitë po i kërkojnë qeverisë që të sigurojë se plani nuk do të ndihmonte institucionet financiare të Wall Street-it, në kurriz të taksapaguesve amerikanë. Ndërsa Kongresi vazhdon të shprehë rezerva të mëdha për planin dy kandidatët presidencialë kanë lënë të kutohen se e mbështesin atë me rezerva. Ata kërkuan garanci për planin, por nuk e hodhën poshtë. Garanci Kandidati demokrat, Barack Obama, kërkoi që në planet e qeverisë të parashikohet dhënia e ndihmës për amerikanët që kërcënohen të humbasin shtëpitë si rezultat i krizës financiare. "Ajo që presin me të drejtë populli amerikan e taksapaguesit, është që të ketë kërkim llogarie, se ky nuk do të jetë program ndihmash për drejtorët e korporatave, se ata do të mbrohen, apo se të paktën, kriteret dhe struktura e këtyre programeve, do t'i ndihmojë ata sa të jetë e mundur," tha ai. Kandidati republikan, John McCain, bëri thirrje që të merreshin masa që paratë e taksapaguesve amerikanë të mbikqyreshin dhe të mos shpenzoheshin kot. "Duhet të ekzistojë një mënyrë që taksapaguesit të marrin paratë që janë futur në këtë fond, " tha ai. "Është një shumë e paprecedent parash dhe ajo thjesht, nuk mund të shkojë në një gropë të zezë borxhesh të këqija pa siguruar një mënyrë për ta marrë mbrapsh," tha ai. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||