|
Obama përfundon turneun në Londër | |||||||||||||||||||||||
Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama tha në Londër se për të përballuar një gamë të gjerë të problemeve globale, nevojitej një marrëdhënie e fuqishme transatlantike. Z. Obama tha se bashkëpunimi me Britaninë e Madhe kishte rëndësi kyçe për të përballuar ndryshimet klimatike, terrorizmin dhe problemet ekonomike. Ai e bëri këtë deklaratë pas bisedimeve të shtunën me kryeministrin britanik, Gordon Brown. Kandidati demokrat për presidencën amerikane u takua dhe me udhëheqësin e opozitës David Cameron. Z. Obama në Londër, në ndalesën e fundit të turneut të tij ndërkombëtar që nisi para një jave, falenderoi popullin britanik për mbështetjen në konfliktet në Irak dhe Afganistan. Më herët, ai u takua me ish-kryeminsitrin britanik, Tony Blair, që tani është i Dërguar i Posaçëm për Lindjen e Mesme. Ndërkohë ai kaloi pothuajse një orë në takim me figurat kryesore të opozitës. 'Udhëtim i rëndësishëm' Z. Obama vizitoi Londrën pasi qëndroi më parë në Berlin, ku mbajti një fjalim dhe në Paris, ku u takua me presidentin francez, Nicolas Sarkozy. Para Evropës, kandidati demokrat qëndroi në Lindjen e Mesme: në Jordani, Izrael dhe Territoret Palestineze. Pas Britanisë së Madhe, ai do të kthehet në SHBA për të vazhduar fushatën për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, ku përballet me kandidatin republikan, John McCain. Sondazhet e fundit në SHBA sugjerojnë se z. Obama kryeson garën, por në disa prej tyre lihet të kuptohet se avantazhi i tij ndaj z. McCain, në disa shtete të rëndësishme, po ngushtohet. Z. Obama tha se nuk ishte i sigurt për ndikimin që do të kishte turneu i tij nëpër botë mes votuesve në SHBA, që janë të shqetësuar momentalisht për çmimet e karburanteve dhe kreditë e shtëpive. "Arsyeja pse unë mendova se ky udhëtim ishte i rëndësishëm, është se unë jam i bindur se shumë nga problemet me të cilat përballemi ne në vend nuk do të zgjidhen me efikasitet nëse ne nuk kemi partnerë të fuqishëm jashtë". | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||