|
KS i OKB-së diskuton për Kosovën | |||||||||||||||||||||||
Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, deklaroi të martën në Këshillin e Sigurimit se Serbia nuk do ta njohë kurrë shkëputjen e njëanshme të Kosovës. Ai bëri thirrje që misioni i Kombeve te Bashkuara të vazhdojë ta ketë nën kontroll Kosovën. Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, zoti Jeremiç e dënoi shpalljen e pavarësisë se Kosovës si të njëanshme dhe të paligjshme. Ai tha se pavarësia e Kosovës ka sjellë pasoja të rrezikshme për rajonin dhe botën. Ministri i jashtëm serb nënvizoi se vendet që e kanë njohur shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kanë kontribuar në destabilizimin e sistemit ndërkombëtar, duke e bërë më të paparashikuar te ardhmen. "Këto vende kanë ligjëruar doktrinën e imponimit të zgjidhjeve të konflikteve etnike", tha zoti Jeremiç. Zyrtari i lartë serb përsëriti deklaratën se Serbia nuk do ta njohë kurrë shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe iu kërkoi anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të zbatojnë rezolutën 1244 te vitit 1999 për vazhdimin e administritmit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara. Në fjalimin e tij, zoti Jeremiç tha se Serbia nuk do ta ndëshkojë Kosovën me ndonjë embargo dhe nuk do të përdorë forcën. Po ashtu, zoti Jeremic kërkoi falje për dëmet që iu shkaktuan disa ambasadave të huaja në Beograd në 21 shkurt nga protestuesit serbë. Një ndër këto ambasada ishte edhe ajo amerikane. Në mbështetje të qëndrimit serb në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit erdhi Rusia që është kryetare e radhës e Keshillit te Sigurimit. Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, qarkulloi një projektdeklaratë, e cila dënonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Përfaqësuesit amerikanë dhe britanikë deklaruan se nuk kishte ndryshim qëndrimi të Këshillit të Sigurimit, duke e lënë sesionin e jashtëzakonshëm pa përfundimin e kërkuar nga Serbia. Nga pesë anëtarët e përhershëm, Rusia dhe Kina vazhdojnë të kundërshtojnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kurse SHBA-ja, Britania dhe Franca e kanë mbështetur. Vetëm disa ditë më parë, nënsekretari amerikan i shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Daniel Fried, nënvizoi se SHBA-ja përshëndet shtetin më të ri në Evropë dhe demokracinë më të re në botë, Republikën e Kosovës. "Kosova gëzon tani pavarësinë dhe Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës në të ardhmen", tha zoti Fried. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||