BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 10 mars 2008 - 15:26 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Qeveria serbe kërkon zgjedhje
Kostunica (m) dhe zëvendëskryeministri Bozidar Djeliç
Zgjedhjet priten të mbahen në maj
Qeveria serbe i ka bërë thirrje presidentit Boris Tadiç që të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja.

Thirrja e qeverisë bëhet pasi kryeministri Vojislav Koshtunica njoftoi prishjen e koalicionit qeverisës në fundjavë.

Ministrat nuk ranë dot dakord që të pezullonin lidhjet me Bashkimin Evropian në shenjë proteste ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës nga disa vende anëtare të bllokut.

Z. Tadiç, partia e të cilit kërkon anëtarësimin e vendit në BE, ka lënë të kuptohej se do ta përmbushte kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

Presidenca sllovene e Bashkimit Evropian tha të hënën se shpresonte që partitë pro-evropiane do t'i fitonin zgjedhjet.

Ministri i Jashtëm slloven, Dimitri Rupel, tha: "Që të jem i ndershëm nuk mendoj se ka ndonjë mundësi tjetër për miqtë tanë serbë përveç Bashkimit Evropian. Ku do të shkojnë ata?"

Shumica e vendeve të BE-së e kanë njohur Kosovën pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë në 17 shkurt.

Serbia dhe aleatja e saj Rusia, thonë se nuk do ta pranojnë atë.

'Referendum'

Javën e kaluar, z. Koshtunica, një nacionalist, thirri një mbledhje të posaçme për të propozuar shpërndarjen e parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në takimin e së hënës qeveria e miratoi propozimin, i cili tani do t'i kalojë z. Tadiç që ka kompetencat për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

Ai ka thënë se do ta përmbushë këtë kërkesë.

Zgjedhjet e parakohshme, që kanë gjasë të zhvillohen në muajin maj, shihen si thellim i krizës politike në Serbi.

Partnerët e koalicionit nuk bien dakord për strategjinë që të ardhmen e vendit dhe nëse çështja kryesore me rëndësi për vendin janë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian apo pavarësia e Kosovës.

Një ministër nga rradhët e partisë së z. Tadiç i ka deklaruar agjensive të lajmeve se 'zgjedhjet do të ishin referendum për perspektivën evropiane të Serbisë ose izolimit të saj'.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>