|
Protesta në Beograd kundër pavarësisë | |||||||||||||||||||||||
Mijëra serbë kanë protestuar në kryeqytetin Beograd dhe qytete të tjera kundër pavarësisë së Kosovës, kundër politikës euro-amerikane ndaj kësaj çështjeje dhe me një disponim të shprehur anti-shqiptar. Policia gjatë gjithë kohës ka përcjellë demonstruesit, ka pasur kontakte të afërta me ta, ndërsa janë gjuajtur me gurë objekte dhe prona si restorantet Mekdonalds, ashtu dhe një supermarkat me pronësi sllovene, janë thyer dritare të ambasadës së Turqisë dhe janë dëmtuar edhe objekte pronarë të të cilëve janë shqiptarë qoftë nga Kosova apo edhe Maqedonia. Incidente të tilla janë regjistruar në Beograd, por dhe në qytete të tjera, edhe në krahinën e Vojvodinës, në Novi Sad, Suboticë e Kikindë. Në një lajm tjetër, ministri serb i Tregëtisë, Predrag Buballo, tha se Serbia nuk do të vendosë embargo ekonomike ndaj shtetit të ri të Kosovës. "Ne duhet të mbajmë llogari para së gjitash për ata njerëz që e njohin shtetin e Serbisë, që janë besnikë ndaj shtetit të Serbisë dhe të cilët kanë vetëm shtetin e Serbisë," tha ministri serb i tregtise duke arsyetuar përjashtimin e mundësisë së vendosjes së embargos ekonomike. Ndërkohë. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë kallëzim penal kundër kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, presidentit Fatmir Sejdiu, dhe kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi për shkak se sikurse thuhet,"më 17 shkurt kanë organizuar në Prishtinë shpalljen e shtetit të rrejshëm në truallin e Serbisë, me çka kanë bërë vepër të rëndë penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë". Në njoftimin e dhënë nga agjencia serbe e lajmeve rikujtohet se sipas kushtetutës serbe territori i Serbisë është unik, kurse kufinjtë të pacënueshëm. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||