|
Shqiptarët e Maqedonisë festojnë për Kosovën | |||||||||||||||||||||||
Shqiptarët e Maqedonisë e kanë festuar në forma të ndryshme ditën e pavarësisë së Kosovës . Në të gjitha sheshet e qyteteve me shumicë shqiptare Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Dibër e Kumanovë është festuar dhe këto manifestime i ka organizuar pushteti lokal, ndërsa nuk ka qenë i vogël numri i shqiptarëve që pavarësinë e Kosovës e kanë pritur në Prishtinë. Manifestimi qendrorë është mbajtur në kyreqytetin e Maqedonisë në Shkup. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i cili iu drejtua masës së tubuar falenderoi miqtë e shqiptarëve, të cilët e ndihmuan Kosovën drejt pavarësisë. "Nuk ka gëzim më të madh se sa kur shohim që të gjitha sakrificat në shekuj që kanë bërë shqiptarët po materializohen", tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi ka thënë se euforia e tepruar mund t'i dëmtojë proceset që do vijnë në Kosovë. "Ne duhet të jemi shumë të kujdeshëm. Jemi pranë finalizimit të procesit tonë historik", tha zoti Thaçi. Zyrtarët e Shkupit nuk bënë ndonjë reagim gjatë ditës së djelë, përveç një njoftimi të zëdhënësit të qeverisë, i cili ka thënë se Maqedonia më vëmendje i përcjell zhvillimet dhe do të veprojë konform interesave shtetërore dhe të qytetarëve të saj. Maqedonia ka mbajtur një qëndrim më të rezervuar ndaj Kosovës, duke patur kujdes që të mos i dëmtojë raportet me Beogradin. Maqedonia mbështet planin Ahtisaari dhe ajo nuk do të shpejtojë që të jetë një nga shtetet e para që do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por do të pres vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evriopian. Gjatë ditës së hënë priten edhe reagimet e para të politikanëve në Maqedoni, por edhe të autoriteteve më të larta shtetërore. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||