BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 07 shkurt 2008 - 17:37 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Samarxhiq: Do ta anulojmë pavarësinë
Ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiq
Ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiq, thotë për BBC-në se në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia do të shpallë të pavlefshme aktet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Zoti Samarxhiq tha se, megjithë politikën unike ndaj çështjes së Kosovës, në Beograd ka krizë qeveritare lidhur me vendimin e fundit të BE-së për të dërguar misionin e vet në Kosovë dhe nënshkrimin e marrëveshjes politike për bashkëpunim me BE-në.

Seladin Xhezairi bisedoi zoti Samarxhiq.

BBC: Cilat ishin mbresat tuaja pas vizitës që bëtë këto ditë në venbanimet serbe në Kosovë?
Zoti Samarxhiq: Atje ekziston brengosje për ardhmërinë e afërt të Kosovës, sidomos midis serbëve të cilët jetojnë në jug të lumit Ibër dhe posaçërisht tek serbët të cilët jetojnë nëpër enklavat e vogla, të izoluara.

 Unë mendoj se është e pamundshme jeta e shqiptarëve dhe serbëve nën të njëjtat institucione dhe prandaj mendoj se për një kohë, përderisa nuk mësohen të jetojnë njëri pranë tjetrit dhe njëri me tjetrin, duhet të kenë institucionet e tyre të veçanta.
Ministri serb për Kosovën Samarxhiq

BBC: Shqiptarët e Kosovës kanë paralajmëruar shpalljen e pavarësisë, ndërsa qeveria juaj ka paralajmëruar marrjen e kundërmasave që tash për tash mbeten, sikurse thuhet, sekret shtetëror. Çfarë do të ndodhë?
Zoti Samarxhiq: Së pari, ka gjëra që nuk janë sekret dhe për të cilat ne flasim publikisht. Serbia do të anulojë ato akte të mundshme të Kuvendit të Kosovës për pavarësinë. Tjetra, Serbia planifikon të vazhdojë punën në Kosovë e Metohi me qytetarët të cilët i janë besnikë Serbisë. Këta janë serbet, gati qind për qind dhe një pjesë e popujve të tjerë, e pakicave, në Kosovë e Metohi. Kështu që do të orvatemi që këtë trend që e kemi tash disa vjet të funksionimit të institucioneve të ndryshme në Kosovë e Metohi ta ruajmë dhe ta përforcojmë.

BBC: Autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare në Prishtinë akuzojnë Beogradin zyrtar se, sikurse thuhet "dirigjon me popullatën serbe në Kosovë"…
Zoti Samarxhiq: Shikoni, ata janë qytetarë të Serbisë. Ata vet ndjehen kështu. Kështu sillen, kështu votojnë ose nuk votojnë. Votojnë kur është fjala për institucionet serbe dhe nuk votojnë kur mbahen zgjedhjet për institucionet shqiptare në Kosovë dhe, sipas të gjitha gjasave, kanë mbijtuar në Kosovë nga viti 1999 falë ndihmës së Serbisë. Prandaj ne edhe nuk e kemi aspak problem bindjen e njerëzve. Ata janë njerëz besnikë ndaj Serbisë sa edhe ata të cilët jetojnë në Kragujevc, ose Suboticë ose në cilindo qytet ose fshat tjetër në Serbi.

BBC: Brukseli ka paralajmëruar dërgimin së shpejti të misionit evropian në Kosovë, kurse qeveria juaj hoqi dorë nga nënshkrimi i marrëveshjes politike për bashkëpunim me BE-në. A ekziston në Beograd një qëndrim unik sa i përket Kosovës? Fitohet përshtypja se përgjigja është negative?!
Zoti Samarxhiq: Ekziston një politikë unike dhe ajo është zbatuar vitet e fundit si politikë e vetme shtetërore. Dhe është unik qëndrimi se Serbia duhet të vazhdojë të bëj punën e vet në Kosovë. Është unik qëndrimi në mbarë Serbinë dhe në qeveri se misioni i Bashkimit Evropian nuk guxon të vijë pa bazë juridike. Pati disa dallime, madje edhe përçarje, në qeveri lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes së përkohshme politike për bashkëpunim me BE-në. Një pjesë mendon se kjo është marrëveshje me të cilën në fakt duhet të kompensohet marrja e Kosovës Serbisë, prandaj dhe nuk e pranon. Pjesa tjetër nuk e shikon këtë kështu, prandaj ky dallim edhe shkaktoi krizën qeveritare dhe do të orvatemi ta kapërcejmë. Mirëpo sa i përket politikës bazë të Serbisë në Kosovë dhe në lidhje me Kosovën e Metohinë ajo është unike.

BBC: Duke u përgatitur për këtë intervistë kam hasur një deklaratë tuajën. Përafërsisht keni thënë se në Kosovë nuk është e mundshme bashkëjetesa midis shqiptarëve dhe serbëve!
Zoti Samarxhiq: Nuk më kujtohet se kam thënë kështu. Është mendimi im dhe ja tani do t'ju them se çfarë mendoj për këtë dhe ju krahasoni këto deklarata. Unë mendoj se është e pamundshme jeta e shqiptarëve dhe serbëve nën të njëjtat institucione dhe prandaj mendoj se për një kohë, përderisa nuk mësohen të jetojnë njëri pranë tjetrit dhe njëri me tjetrin, duhet të kenë institucionet e tyre të veçanta.

BBC: A mund të ketë përsëritje të vringëllimit të armëve pas shalljes së pavarësisë së paralajmëruar të Kosovës?
Zoti Samarxhiq: Unë mendoj se këtë pyetje duhet t'ia shtrojmë së pari KFOR-it dhe njerëzve të cilët kërcënohen me vringëllim armësh, sepse politikanët shqiptarë në Kosovë kanë deklaruar se nëse nuk fitojnë pavarësinë, kjo ka për të shkaktuar trazira. Mendoj se kjo është një pyetje që duhet t'ju bëhet atyre.

BBC: Po nga pala serbe?
Zoti Samarxhiq: Jo. Pala serbe nuk do ta bëj këtë. Nëse do të ketë paqe dhe stabilitet në Kosovë, pala serbe nuk ka nevojë që kujdo qoftë t'i kërcënohet me armë. Në instancë të fundit ajo e njeh Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe atë marrëveshjen teknike dhe do të jetë besnike gjithnjë përderisa edhe të tjerët i zbatojnë këto dokumente ndërkombëtare.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>