|
Përgatitjet e fundit për pavarësinë | |||||||||||||||||||||||
Krerët e institucioneve në Prishtinë thonë se Kosova është gati për të shpallur pavarësinë nga Serbia dhe se tani ka mbetur vetëm caktimi i datës kur do të ndodhë kjo. As pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, presidenti dhe kryeministri i Kosovës nuk kanë pranuar të flasin për kohën e deklarimit të pavarësisë. Por kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se Kosova do të shpallet shtet i pavarur gjatë këtij muaji. "Parlamenti i Kosovës në bashkëpunim dhe në koordinim me vendet e Bashkimit Evropian, me administratën ndërkombëtare dhe në koordinim të plotë me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do ta shpallë pavarësinë e Kosovës brenda këtij muaji," tha ai. "Ne jemi të bindur për këtë", shtoi z.Krasniqi. Kosova është 'gati' Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi nuk kanë qenë në gjendje të thonë datën e shpalljes së pavarësisë, por kanë përsëritur se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Ata thonë se po bëjnë konsultimet e fundit me partnerët ndërkombëtarë, SHBA-të dhe Bashkimin Evropian lidhur me datën e shpalljes së pavarësisë. Në media po spekulohet se Kuvendi i Kosovës mund ta shpallë pavarësinë më 17 shkurt, ditë e diel. Z. Thaçi tha se Kosova ka përfunduar përgatitjet si në aspektin politik, ashtu edhe diplomatik, për të deklaruar mëvetsinë e saj. "Kosova tanimë ka përgatitur kushtetutën, ka përgatitur simbolet, që nga sot definitivisht është gati", tha kryeministri Thaçi. Përgatitjet Si pjesë e përgatitjeve për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, këto ditë po zhvillohet debati publik për Kushtetutën. Paralelisht po punohet për përzgjedhjen e simboleve shtetërore. Komisioni po përzgjedhur pesë punimet më të mira për flamurin dhe stemën e Kosovës. Njëri prej propozimeve pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave pas shpalljes së pavarësisë. Siguria Përgatitje për deklarimin e shtetësisë së Kosovës po bëhen edhe në aspektin e sigurisë. Policia dhe forca paqëruajtëse KFOR thonë se kanë të gatshme planet e tyre operative për menaxhimin e situatës së sigurisë në ditën e shpalljes së pavarësisë. Policia ndërkombëtare në fund të javës së kaluar ka shtuar praninë e saj në veri të Mitrovicës dhe në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kjo me qëllim të parandalimit të shpërthimit të mundshëm të dhunës ndëretnike në Kosovën Veriore, praën kufirit me Serbinë. Zëvendëskomandanti i Shërbimit Policor të Kosovës për rajonin e Mitrovicës, kolonel Sherif Hajra në një intervistë për BBC-në e ka vlerësuar situatën në veri të Kosovës si të qetë, por të ndjeshme. "Ne i bëjmë përforcimet sepse nuk duam kurrfarë befasirash," tha kol. Hajra. "Kemi planet tona operative të cilat jemi duke i implementuar dhe varësisht nga rrethanat dhe situatat që do të paraqiten, do të reagojmë dhe nuk do të lejojmë kurrfarë befasie", shtoi ai. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||