BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E diel, 27 janar 2008 - 16:35 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Albert Rohan flet për BBC-në
Albert Rohan
Albert Rohan flet në prag të shpalljes së pavarësisë
Zëvendësndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, i ka thënë BBC-së se beson se autoritetet e Prishtinës do ta shpallin shpejt pavarësinë e Kosovës e cila do të njihet më pastaj nga shtetet e tjera.

Sipas tij shpallja e pavarësisë së Kosovës do të duhej të bëhej mbi bazën e propozimeve të Ahtisaarit, me të cilat Kosova do të duhej të respektonte propozimet e planit, shumica prej të cilave kanë të bëjnë me mbrojtjen e komunitetit serb. Por zoti Rohan ka thënë se nuk beson që ky plan të votohet në KS të OKB-së për shkak të bllokadës ruse.

Albert Rohan ka thënë se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit do të rriten, meqë qeveria serbe nuk do ta njoh deklaratën.

Sipas tij veriu i Kosovës do të mund të përgjigjej me shpalljen se vazhdon të jetë pjesë e Serbisë. Rohan ka deklaruar se Kosova është rast i vecantë dhe shembulli i saj nuk mund të zbatohet në asnjë rast tjetër.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Rohan.

BBC: Duket se plani Ahtisaari do të jetë plani kryesor për Kosovën. A do të thotë kjo se ky plan është i vetmi i zbatueshëm tash për tash?

Rohan: Nuk ka ndonjë plan tjetër dhe plani Ahtisaari në fakt ka qenë gjithnjë në tavolinë. Kishte një mbështetje të fuqishme në KS të OKB-së, pranverën e kaluar, dhe siç e dini për shkak të vetos ruse, ai nuk u votua.

Pastaj erdhi periudha shtesë e angazhimeve që nuk solli asnjë rezultat. Prandaj ky është plani i vetëm që ndodhet në tavolinë dhe i vetmi plan realist.

Nëse duhet të gjejmë zgjidhje atëherë duhet ta zbatojmë atë.

BBC: Pra është i vetmi plan i zbatueshëm. Ju po thoni se KS e ka pranuar planin…

Rohan: Jo, jo unë se thash atë. Thash se kishte një mbështetje të fuqishme në KS, por ai nuk u votua, sepse Rusia tha se do ta vendoste veton mbi të, prandaj edhe anëtarët e KS vendosën të mos votojnë për të.

Ai nuk u votua asnjëherë, por në qershor të vitit të kaluar ai u përkrah fuqishëm nga anëtarët e KS.

BBC: Pra kjo do të thotë se ky plan nuk do të votohet në KS në të ardhmen?

Rohan: Nëse Rusia mban qëndrimin e saj, dhe bëhet se ajo do ta mbaj këtë qëndrim, atëherë nuk do të ketë votim në KS.

BBC: Zoti Rohan, ju keni thënë me një rast se çereku i parë i këtij viti do të jetë vendimtar për statusin e Kosovës. A keni parë një BE të bashkuar në këtë drejtim?

Rohan: Unë e kam thënë në çerkun e parë, që nënkupton tre muajt e parë të këtij viti. Duket se BE-ja do të vendos për dërgimin e misionit në Kosovë dhe se Kosova do ta shpall pavarësinë e saj, si dhe do të pranohet nga një numër shtetesh.

Them se duket kështu, sepse nuk kam garanci se kjo do të ndodh. Por kjo duket të jetë skenari më i mundshëm.

BBC: Dhe kjo do të thotë se Kosova së shpejti do ta shpall pavarësinë e saj në Kuvend?

Rohan: Kjo është ajo që unë pres.

BBC: Dhe pastaj cka? Cili është hapi i ardhshëm?

Rohan: Atëherë vendet që duan ta njohin Kosovën do ta bëjnë këtë dhe BE-ja do të dërgojë misionin e saj të rendit dhe të ligjit në Kosovë.

Unë mendoj se shpallja e pavarësisë së Kosovës do të bëhet mbi bazën e propozimeve të Ahtisaarit që nënkupton se Kosova do të duhej të respektojë të gjitha propozimet që janë në këtë plan, e që shumica prej tyre kanë të bëjnë me mbrojtjen e grupit etnik serb në Kosovë.

BBC: Por zoti Rohan, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës si e shihni ju reagimin e Beogradit zyrtar në rrethanat e reja të krijuara?

Rohan: Beogradi ka thënë se do të kundërshtojë shpalljen e pavarësisë dhe me sa e kuptoj qeveria e atjeshme ka miratuar një plan të masave që do të ndërmarrë nëse një zhvillim i tillë do të ndodh.

Ky plan ende nuk është publikuar dhe nuk e dimë saktësisht se cfarë nënkupton ai.

BBC: Pra ju parashihni tensione në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë pas shpalljes së pavarësisë?

Rohan: Me siguri, nëse Serbia nuk pranon pavarësinë e Kosovës, atëherë në fillim do të ketë tensione, megjithëse ka tensione edhe tash.

Nuk do të ndryshojë shumë gjë më vonë. Nuk do të ketë qëndrueshmëri menjëherë dhe do të ketë nevojë për një kohë.

BBC: Dhe çka me veriun e Kosovës?

Rohan: Sipas planit tonë ai është pjesë e Kosovës dhe do të jetë pjesë e sistemit të decentralizuar të administrimit që nënkupton se komunat në veri do të mund të udhëheqin vetë punët e tyre.

Ne nuk e dimë se cili do të jetë bashkëpunimi i këtyre komunave me bashkëinë ndërkombëtare, apo ndoshta mungesë të bashkëpunimit dhe kjo pritet të shihet.

BBC: Dhe a mund të shohim ndonjë ndarje ose shpallje të pavarësisë së pjesës veriore nga pjesa tjetër e Kosovës?

Rohan: Nuk e besoj se pavarësia është ajo që veriu e do. Veriu do të shpall se vazhdon të jetë pjesë e Serbisë.

Por sipas Beogradit e gjithë Kosova duhet të jetë pjesë e Serbisë dhe unë nuk shoh ndonjë shpallje të pavarësisë të veriut dhe as ndarje sepse ndarja është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare.

BBC: Por nëse Kosova shpall pavarësinë e saj atëherë a mund të shohim një efekt domino në pjesët e tjera të Ballkanit dhe pse jo edhe në vende të tjera në përgjithësi?

Rohan: Bashkësia ndërkombëtare dhe BE-ja e kanë bërë të qartë se Kosova është një rast i posacëm, dhe se nuk ka ngjashmëri me asnjë cështje tjetër në Ballkan ose diku tjetër dhe se nuk mund të merret si precedent.

Edhe nëse ndonjë entitet do të përdorte shembullin e Kosovës ai nuk do të pranohej nga bashkësia ndërkombëtare. Prandaj nuk mendoj se do të ketë një efekt domino.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>