|
Kosova në shtypin britanik | |||||||||||||||||||||||
Shtypi britanik mbulon gjerësisht mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për çështjen e statusit të Kosovës. Gazeta THE TIMES shkruan se Kosova arriti një fitore simbolike kur foli për herë të parë me zërin e saj në Kombet e Bashkuara për të paraqitur rastin e saj për pavarësinë. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu u ftua të flasë në tryezën e Këshillit të Sigurimit, megjithatë ai nuk u paraqit si president i Kosovës, por vetëm si "kreu i Ekipit të Unitetit të Kosovës". Megjithatë, shkruan gazeta, thirrjet e zotit Sejdiu për ecjen përpara dhe qartësimit të situatës për Kosovën, nuk e kanë zhbllokuar situatën ndërsa Serbia dhe Rusia kundërshtuan thirrjet për pavarësi. Kryeministri serb Vojislav Koshtunica tha se "Serbia nuk do të heqë dorë kurrë dhe me asnjë çmim nga e drejta që i jep karta e OKB-së për mosshkeljen e kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Serbisë". Gazeta THE FINANCIAL TIMES shkruan se kundërshtimet e Rusisë duan të thonë se rolit të Këshillit të Sigurimit për të vendosur për të ardhmen e Kosovës i ka ardhur fundi. Tani vendet perëndimore thonë se janë të vendosura të ecin përpara me një plan që do të çojë në pavarësinë e Kosovës megjithë kundërshtimet e Rusisë, që e quan këtë hap të paligjshëm. Gazeta citon diplomatë perëndimorë që thonë se BE-ja dhe NATO-ja do të marrin tani rolin udhëheqës në drejtimin e Kosovës drejt shtetësisë me vëzhgim ndërkombëtar mbështetur në planian Ahtisaari. Të njëjtën linjë mban edhe gazeta THE DAILY TELEGRAPH e cila shkruan se palët shqiptare dhe serbe u përballën përsëri në Këshillin e Sigurimit me qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta: shqiptarët kërkojnë pavarësinë dhe serbët këmbëngulin që ajo të mbetet pjesë e territorit të tyre. Gazeta citon presidentin Sejdiu të thotë se pavarësia është alternativa e vetme për popullin e tij. Gazeta citon një deklaratë të përbashkët të SHBA-së dhe BE-së që thotë se "negociatat në këtë apo ndonjë format tjetër nuk do të sjellin ndonjë ndryshim" për gjetjen e ndonjë marrëveshjeje për të ardhmen e Kosovës. Ambasadori britanik në OKB John Sauers tha se hendeku ishte tepër i madh. Ai shtoi se Evropa është e gatshme të shkojë përpara me planin për një shtetësi të mbikqyrur të Kosovës. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||