|
Bush bën thirrje për demokraci në Kubë | |||||||||||||||||||||||
Në fjalimin e tij të parë për Kubën që prej vitit të kaluar kur u sëmur Fidel Kastro, Presidenti Bush u ka bërë thirrje kubanezëve t'i japin fund sundimit komunist dhe t'u hapin rrugë ndryshimeve demokratike. Zoti Bush njoftoi edhe për krijimin e një fondi ndërkombëtar në ndihmë të popullsisë vendase, veçanërisht sipërmarrësve, për rindërtimin e vendit pasi qeveria të respektojë, ata që ai i quajti, liri themelore. Përmbajtja e fjalimit të Presidentit Bush Korrespondenti i BBC-së, Jonathan Beale që e dëgjoi fjalimin e zotit Bush, thotë se në të nuk kishte asnjë deklarim për ndryshime madhore të politikës, megjithëse tashmë pushteti i Fidel Kastros i ka kaluar të vëllait, Raul. Zoti Bush e bëri të qartë se do të vazhdonte embargoja amerikane ndaj Kubës për sa kohë, tha ai, që regjimi të ruajë monopolin e pushtetit. Ai e denoncoi Kubën si një "gulag tropikal" dhe shtoi se Amerika nuk kishte ndërmend të mbajë me oksigjen një regjim kriminal që viktimizon popullin e vet. Presidenti u bëri thirrje kubanezëve dhe udhëheqësve të tyre ushtarakë t'u hapin rrugë ndryshimeve. Ai tha se tani që kubanezët po ngrihen për liri, është koha të jemi pranë tyre. Zoti Bush u beri thirrje vendeve të tjera të mbështesin atë që e quajti fond për lirinë, nga i cili vendi do të përfitonte pasi t'i kishte kthyer shpinën komunizmit. Presidenti Bush qarkohej nga familjarë të ish-të burgosurve politikë nga Kuba. Disidentët e sotëm, tha presidenti, do të jenë udhëheqësit e ardhshëm të Kubës. Reagimi nga Kuba Në Havanë, fjalimi u denoncua me shpejtesi. Ministri i jashtem i Kubës e cilësoi atë si thirrje për dhunë dhe përdorim force për të rrëzuar qeverinë e dalë nga revolucioni dhe imponuar idetë e presidentit amerikan. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||