Ish-ministri i jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj thotë se, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk imponon zgjidhjen e statusit të Kosovës, atëhere pashmangërisht pala kosovare do të shpallë pavarësinë në mënyrë të njaënshme. Duke folur për BBC në shqip zoti Mustafaj thotë se duket që palët nuk do të bien në kompromis për një zgjidhje. Ai thotë se plani Ahtisaari, produkt i rreth një viti e gjysmë bisedimesh dhe përpjekjesh diplomatike, është zgjidhja që duhet për të ruajtur stabilitetin në rajon. Plani Ahtisaari ofron garanci për mbrojtjen e minoriteteve në Kosovë. Seladini Xhezairi bisedoi me zotin Mustafaj në programin e mëngjesit të BBC-së.  |  Unë kam qenë gjithmonë i bindur se në këtë pikë nuk mund të ketë kompromis dhe gjithmonë i kam kërkuar komunitetit ndërkombëtar të ndjekë një rrugë që edhe e ka ndjekur shpesh në raste të ngjashme - rrugën e imponimit ndaj të dyja palëve.  Besnik Mustafaj, ish-ministri i jashtëm shqiptar |
BBC: Çfarë mendoni se solli takimi i fundit i treshes ndërkombëtare në Londër me delegacionet nga Kosova dhe Serbia lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës? Zoti Mustafaj: Unë do të thosha se në përgjithësi nuk solli asnjë të re. Pra, nuk ka asnjë surprizë, nuk di ndonjë vëzhgues të vëmendshëm të zhvillimeve në Kosovë dhe në këtë periudhë të negociatave për statusin që priste të re. Megjithatë, ka diçka të rëndësishme që u rikonfirmua - fakti që asnjëra palë nuk ka tendencën për ndarjen e Kosovës. Pra, dihej që përfaqësuesit e Kosovës ishin shprehur pa asnjë ambiguitet se nuk pranojnë ndarje të Kosovës. Dëgjuam dhe mësuam se edhe përfaqësuesit e Beogradit e përjashtojnë në mënyrë të qartë mundësinë e ndarjes së Kosovës. Kjo është një gjë e mirë. BBC: Pala kosovare mbërriti në Londër me një propozim - traktat të miqësisë midis Kosovës e Serbisë që, sipas saj, do të përcaktonte marrëdhëniet dypalëshe. Para kësaj në raundin e Vjenës me Treshen Beogradi riafirmoi qëndrimin që zgjidhja të kërkohet në autonominë substanciale për Kosovën. Mendoni se do të arrihet ndonjë kompromis? Zoti Mustafaj: Nuk shoh asnjë mundësi kompromisi në atë që është thelbësore, nëse flasim pikërisht me këtë terminologji, sepse Prishtina është shprehur në mënyrë të qartë se gjithçka është e mundur për kompromis, përveç pavarësisë, ndërsa Beogradi gjithashtu është shprehur në mënyrë të përsëritur se gjithçka është e mundur përveç pavarësisë. Pra, me vetë faktin që përjashtojnë atë çka përcakton statusin e ardhshëm të Kosovës, e përjashtojnë si pikë kompromisi Beogradi dhe Prishtina, atëherë rezulton se mundësia e kompromisit nuk ekziston. Unë kam qenë gjithmonë i bindur se në këtë pikë nuk mund të ketë kompromis dhe gjithmonë i kam kërkuar komunitetit ndërkombëtar të ndjekë një rrugë që edhe e ka ndjekur shpesh në raste të ngjashme - rrugën e imponimit ndaj të dyja palëve. Në rastin konkret kur kam folur para çeljes së negociatave për pavarësinë e kushtëzuar apo të mbikqyrur apo të shoqëruar, siç janë termat që kam përdorur unë në atë kohë, kam pasur parasysh pikërisht faktin që në pamundësi për kompromis, në atë pikë që është thelbësore, pra statusi, shkëputja e Kosovës nga sovraniteti serb, atëherë do të duhej të imponohej dhe fitohej kohë. Nëse ne do të ishim që para një viti apo një viti e gjysëm me një status të përcaktuar, do të ishte ndërtuar, mendoj unë, krejt konteksti për të arritur tek traktati i miqësisë që propozuan kësaj here përfaqësuesit e Kosovës. BBC: Zoti Mustafaj, si e komentoni deklaratën e përfaqësuesit të Rusisë në Treshen ndërkombëtare për statusin, Aleksandr Botsan-Kharchenko, sipas të cilit plani Ahtisaari nuk është bazë e negociatave të tanishme. Në fakt çfarë mendoni se do të ndodhë? Zoti Mustafaj: Unë nuk do të doja të bëj skenare, sepse nuk më duken produktive dhe nuk më duken të tilla që do të prodhonin stabilitet në rajon, por unë dua të them me siguri një gjë që askush, asnjë vëzhgues dhe asnjë diplomat me mendje të shëndoshë dhe me shqetësim për zhvillimet në rajon, nuk mund të mendonte se në 120 ditë që iu dhanë shtesë për negociatat mund të fillohej një punë nga e para dhe mund të ndërtohej një kompromis, një marrëveshje apo të arrihej një rezultat që do të prodhonte stabilitet për rajonin, pra, të prodhonte mirëkuptim edhe midis Beogradit dhe Prishtinës dhe mes fqinjëve të tjerë me të dy këto shtete. Në këtë kuptim, unë mendoj se pa planin Ahtisari, dhe me versionin që u shpreh zoti Kharchenko, duhet të pritet pa asnjë bazë të mëparshme të negociohet dhe të arrihet ndonjë rezultat në këto ditë që kanë mbetur deri me 10 dhjetor, mua më duket e pamundur. Plani Ahtisari është rezultat i një negociimi gati një vit e gjysëm. Ai është rezultat i punës së gjithë komunitetit ndërkombëtar, i drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm, nëpërmjet Ahtisarit, të ndjekur nga Këshilli i Sigurimit. Sepse një herë në tre muaj, katër herë në vit, është raportuar në Këshillin e SIgurimit gjatë gjithë asaj kohe, ku janë mobilizuar njerëz, fonde, kohë, gjithçka dhe nuk mund të hidhet ai dokument në kosh vetëm për faktin se në shqyrtimin e tij të parë në Këshillin e Sigurimit nuk u arrit diçka. Koha 120 ditore, ishte më shumë për të kënaqur, mendoj unë, egon e disa faktorëve në këto bisedime, sesa një shpresë reale, se mund të fillohej gjithçka nga zeroja, sikur nuk ekzistonte një punë e bërë, do të arrihej një rezulat. BBC: Ka mendime dhe qëndrime të ndryshme për atë se çfarë duhet të bënin kosovarët - pala shqiptare - në Prishtinë pas 10 dhjetorit. Nuk përjashtohet shpallja e njëanshme e pavarësisë. Si ish-ministër, si diplomat me përvojë, si e shikoni këtë debat? Zoti Mustafaj: Ky është një debat i pashmangshëm në mënyrë absolute. Pala kosovare, përfaqësuesit e saj institucionalë, krejt opinioni publik, po bëjnë ç'është e mundur dhe kanë bërë ç'është e mundur për të qenë, si të thuash, mirëkuptues me komunitetin ndërkombëtarë duke dhënë të gjitha nëpërmjet negociatave nën drejtimin e presidentit Ahtisari. Kanë dhënë të gjitha garancitë për minoritetin serb dhe minoritetet tjera në Kosovë. Kanë bërë lëshime që janë në nderin e tyre dhe që pasqyrohen në raportin dhe propozimet e zotit Ahtisari. Pra, kanë bërë ç'është e mundur që e pashmangshmja, që është pavarësia, të kalojë në rrugë normale brenda Këshillit të Sigurimit. Tashti, absolutisht unë jam i bindur se shpallja e pavarësisë së njëanshme nuk është rruga më e mirë. Përkundrazi. Por në pamundësi, për arsye që nuk e justifikojnë qëndrimin e Rusisë, në pamundësi për ta pasur zgjidhjen përmes Këshillit të Sigurimit, nuk mbetet rrugë tjetër përveçse shpallja në mënyrë të njëanshme. Dhe, unë mendoj se intsitucionet në Kosovë po përgatiten për këtë gjë.Traktati i miqësisë që ata kanë përgatitur dhe që do t'ia propozojnë drejtpërdrejt, mendoj unë, delgacionit serb në takimin ballë për ballë që do kenë në fund të shtatorit në Nju Jork, tregon se ata po përgatiten për pas-pavarësinë. | | |