BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 14 shtator 2007 - 09:14 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Presidenti Bush njofton tërheqje të pjesshme nga Iraku
Presidenti Bush
Presidenti Bush e mbështeti fjalimin në rekomandimet e komandantit amerikan në Irak
Presidenti Bush ka njoftuar, për herë të parë, një tërheqje të pjesshme të forcave amerikane nga Iraku.

Në një fjalim të rëndësishëm për kombin, zoti Bush tha se rreth dy mijë marinsa që largohen këtë muaj nga Iraku, nuk do të zëvendësohen.

Presidenti tha se kishte pranuar rekomandimet e komandantit të forcave amerikane në Irak, gjeneralit David Petreaus, se si rezultat i suksesit të operacioneve më të fundit ushtarake, në të ardhmen do të nevojiteshin më pak trupa amerikane. Megjithatë, zoti Bush i hodhi poshtë kërkesat për një tërheqje të plotë.

Në fjalimin e tij, presidenti Bush tha se qeveria irakiane duhet të bëjë më shumë për pajtimin e fraksioneve ndërluftuese në vend. Ai tha se duhej të merrnin fund edhe përpjekjet e Iranit e Sirisë per te minimin e administrates se Bagdatit.

Apeli i Presidentit Bush

Korrespondenti i BBC-së në Uashington, Justin Webb, që e dëgjoi fjalimin e zotit Bush, thotë se disa herë gjatë fjalimit të tij 20 minutësh, Presidenti iu referua gjeneralit Petreaus, komandantit të trupave amerikane në Irak, në një rast madje, duke sugjeruar se në fakt gjenerali ishte në zotërim të plotë të situatës.

"Ju bëj thirrje të bashkoheni me mua," tha presidenti "për të mbështetur rekomandimet që ka dhënë gjenerali Petreaus dhe numrin e trupave të kërkuar prej tij."

Ky numër, tha presidenti Bush, mund të zvogëlohet me rreth 30 mijë veta. "Teksa terroristët pësojnë disfatë dhe shoqëria civile hedh rrënjë, misioni ynë arrin sukses," tha presidenti. Ai tha se suksesi ishte parimi i tij.

"Cilido qoftë pozicioni juaj për çështjen e Irakut", u tha zoti Bush amerikanëve, "ne duhet të pajtohemi në faktin se parandalimi i kaosit është me interes jetik për Amerikën."

Reagimi i Demokratëve

Apeli i Presidentit u hodh poshtë menjëherë nga Demokratët, të cilët reaguan me një ashpërsi të pazakonshme.
Një kandidat presidencial, Joe Biden, e quajti fjalimin “të turpshëm” dhe “të çuditshëm”.

Ndërsa senatori demokrat, Jack Reed kritikoi mungesën e përparimit politik në Irak.

“Kur shpalli sulmin më të fundit amerikan në muajin janar, Presidenti na tha se synonte t'u jepte kohë udhëheqësve irakianë për të shënuar ndonjë përparim politik”, kujtoi senatori Reed.

“Kanë kaluar nëntë muaj që nga ajo kohë dhe, vetë këshilltarët e Presidentit na thonë se udhëheqësit e Irakut nuk kanë arritur ndonjë përparim dhe as që ka gjasa të arrijnë," vërejti senatori demokrat, Jack Reed.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>