|
Qeveria e Serbisë ankohet për SHBA-në | |||||||||||||||||||||||
Qeveria e Serbisë thotë se po ankohet pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për atë që që ajo e cilëson si kërcënim të hapur të SHBA ndaj integritetit territorial të Serbisë. Ankesa u shkaktua nga komentet e një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit se Uashingtoni do ta njihte pavarësinë e Kosovës nëse Këshilli i Sigurimit nuk do të arrinte dot konsensusin në këtë çështje. Serbia në të njëjtën kohë i ka kërkuar shpjegime për rastin dhe ambasadës amerikane në Beograd. Kosova ndodhet nën administrimin ndërkombëtar që nga viti 1999. Shqiptarët që përbëjnë shumicën dërrmuese të popullisë, kërkojnë pavarësi nga Serbia. Por Beogradi zyrtar është kategorisht kundër pavarësisë dhe ka mbështetjen e Rusisë. Kundërshtimi rus ndaj pavarësisë së Kosovës ishte shkaktari i dështimit të përpjekjeve të SHBA dhe aleatëve të saj perëndimorë në KS të OKB-së më herët gjatë këtij viti, për t'i dhënë Kosovës pavarësinë e mbikqyrur ndërkombëtarisht. Komuniteti ndërkombëtar tani po ndërmjetëson një raund të ri bisedimesh mes Prishtinës dhe Beogradit në kërkim të konsensusit mes palëve për të ardhmen e Kosovës. Por analistët thonë se ky raund bisedimesh, ashtu si dhe ai pararendës që u pasua nga procesi në KS, do të dështojë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||