|
"Përkrahje për kosovarët dhe demokratët serbë" | |||||||||||||||||||||||
Ministri i jashtëm francez, Bernard Kouchner, i ka thënë BBC-së se nuk do të pritet shumë gjatë për të zgjidhur problemin e Kosovës. Ai ka thënë se i është shpërndarë KS një projekt rezolutë e re për Kosovën e cila bazohet në punën e presidentit Ahtisaari dhe nëse negociatat shtesë nuk sjellin rezultat, sipas tij, bashkësia ndërkombëtare do t'i kthehet planit të kryendërmjetësit. Por ministri i jashtëm francez ka theksuar se qëndrimi i deritashëm rus paraqiste një lloj kurthi, prandaj vendet perëndimore nuk kanë dashur që ta shkatërrojnë idenë e multilateralizmit brenda OKB-së. Zoti Kouchner ka thënë se propozimi i ri për 120 ditë shtesë të bisedimeve kërkon një qasje të re të Prishtinës dhe Beogradit dhe një kompromis të mundshëm mes tyre. Ai ka shtuar se Franca mbështet kosovarët, por edhe forcat demokratike në Serbi. Arbër Vllahiu bisedoi me zotin Kouchner, gjatë vizitës së tij në Prishtinë në fundjavën e kaluar, dhe fillimisht e pyeti nëse propozimi që ka sjellë për Beogradin e Prishtinën është i drejtë? Kouchner: Unë shpresoj. Nuk kam sjellë asnjë propozim konkret dhe për momentin ne po dëgjojmë njerëzit në Beograd dhe gjithashtu edhe në Prishtinë. Ne po kërkojmë një qasje të re nga të dyja palët, një kompromis të ri nga të dyja palët. Dhe ne po i ofrojmë KS të OKB-së, megjithëse ende nuk është votuar, rifillimin e bisedimeve për pak kohë, 120 ditë, për shkak të qëndrimit rus dhe kërcënimit me veto. Ne e bëmë dhe të shohim, jam i bindur. Por ne nuk do të presim për 10 vjet, gjithsesi! Ju thoni kosovarëve se duhet të besojnë se ne jemi ata të njëjtit: Franca është ende prapa tyre, por gjithashtu prapa demokratëve serbë. Prandaj duhet të gjejmë rrugën. BBC: Por sa gjatë jeni të gatshëm të prisni, nëse jo dhjetë vjet ? Kouchner: Sipas projekt Rezolutës së re të paraqitur në KS ishte paraparë 120 ditë. Por nuk është votuar, prandaj të shohim. Nuk i takon vendit tim që të vendosë për të tjerët. E dini kështu ndodh, jeta e përditshme ndryshon, qëndrimet e njerëzve ndryshojnë, jeta ndryshon. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë një propozim të ri, t'i japim kohë, t'i japim një rast paqes. Dhe ta shohim, nëse nuk ecën, atëherë do t'i kthehemi Martti Ahtisaarit. BBC: Ju po e lëni anash këtë propozim të Ahtisaarit deri sa palët të bisedojnë. Atëherë për çfarë do të bisedojnë ato ? Kouchner: Jo nuk po e lëmë anash atë. Ne e kemi bazuar tekstin e Rezolutës në punën e Martti Ahtisaarit. Ne nuk i jemi referuar saktësisht në asnjë pikë Martti Ahtisaarit. Ne e kemi lënë derën hapur për statusin përfundimtar. Por, ne nuk jemi në iluzione, ne po luajmë lojë, sepse nuk duam që të biem në kurth dhe ishte kurth. Qëndrimi rus ishte një lloj kurthi, por ne po përkujdesemi për këtë, dhe e kemi marrë parasysh, sepse ata janë anëtar i përhershëm i KS-së dhe ne nuk duam që të shkatërrojmë gjithë sistemin. Pra nuk deshëm të minojmë gjithë idenë e multilateralizmit sepse kjo është shumë me rëndësi për pjesën tjetër të botës dhe për shekullin. Ne kemi nevojë për sistemin e OKB-së dhe nuk mundemi që menjëherë pas Rezolutës të marrim një qëndrim tjetër. Ne jemi njerëz seriozë në një botë serioze. BBC: Dhe ju e keni treguar këtë seriozitet brenda KS deri tani ? Kouchner: Jo ende, sepse ne ishim pjesë e projekt Rezolutës dhe na duhet ta qarkullojmë atë dhe të shohim amendamentet eventuale në të. Kjo është jeta e përditshme e një sjelljeje politike. Nuk është gjithnjë qesharake dhe unë i kuptoj shumë mirë ankthet e njerëzve këtu në Kosovë, por ne na duhet të qëndrojmë prapa tyre. BBC: Zoti Kouchner. Çfarë zgjidhjeje po kërkoni tani ? Kouchner: Nuk dua të gënjej, nuk dua të propozoj diçka me siguri dhe s'kam siguri të tilla për momentin përveç kësaj: ne do të jemi në anën kosovare dhe gjithashtu në të njëjtën kohë, dhe kjo nuk është një kundërthënie, në anën e demokratëve të Serbisë. Ta shohim. Ju keni ndryshuar, unë kam ndryshuar. Kanë kaluar tetë vjet dhe ende jemi të njëjtit, kemi ndryshuar, por ende përballemi me problemin e njëjtë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||