BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 21 qershor 2007 - 08:40 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Statusi nuk mund të shtyhet në pakufi
Këshilli i Sigurimit i OKB-së
Një projekt-rezolutë për Kosovën e sponsorizuar nga SHBA dhe BE-ja është dorëzuar të mërkurën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe pritet që për të diskutohet brenda ditëve të ardhshme.

Projekt-rezoluta e re e shtyn zgjidhjen e statusit për 120 ditët pas miratimit të saj dhe bën thirrje për rifillimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjet që kanë të bëjnë me interesat e përbashkëta.

Por projekt-rezoluta parasheh që në rast të dështimit të arritjes së një marrëveshjeje mes palëve, plani i Ahtisaarit të zbatohet në tërësi.

Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, ka deklaruar se projekt-rezoluta e re nuk është e pranueshme për Rusinë dhe ka kërkuar diskutime të hapura për parimet themelore.

Megjithatë përfaqësuesi rus tha se dokumenti i ri është një hap përpara - megjithëse pa ndryshim në parime - krahasuar me dokumentin e qarkulluar më parë.

"Duket se ajo (rezoluta) përmban një hap të ri: ajo pranon jo vetëm domosdoshmërinë, por edhe mundësinë e mbajtjes së negociatave të reja apo rifillimin e negociatave të vjetra midis Beogradit dhe Prishtinës," tha zoti Churkin.

Zëvendësshefja e misionit britanik në OKB, Karen Pierce, i tha BBC-së se
është e vështirë të besohet se ka një tjetër zgjidhje nga ajo që e ka ofruar zoti Ahtisaari, një pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me ambasadoren Pierce, menjëherë pas paraqitjes së rezolutës.

 Ajo që Beogradi dhe Moska po bëjnë, me rrezik, është se po e minojnë mbrojtjen që është ofruar për serbët e Kosovës dhe pakicat e tjera në planin Ahtisaari.
Karen Pierce, zëvendësshefja e misionit britanik në OKB

BBC: Zonja Pierce çfarë nënkupton periudha shtesë e bisedimeve mes palëve?
Zonja Pierce: Mendoj se ka dy çështje pse kërkojmë më shumë kohë. Njëra është se sipas projekt-rezolutës sonë, ka edhe një periudhë të negociatave, sepse të gjithë besojnë se, nëse mund të arrihet një zgjidhje e negociuar, atëherë ia vlen të bëhen. Pra ne e kemi marrë në besim, nëse doni, kërkesën e qeverisë së re në Beograd për më shumë negociata. Por ne e kemi kufizuar atë, duke e sjellë në katër muaj, dhe ky ishte sugjerimi i Panamasë, dhe që paketa e Ahtisaarit të jetë e afatizuar brenda një periudhe nga koha e miratimit të rezolutës. Pra do të ketë një periudhë për negociata, dhe përderisa KS të mos vendosë ndryshe, paketa e Ahtisaarit do të hyjë në fuqi. Çështja e dytë është se duhet të jemi realistë rreth asaj se çka mund të arrihet brenda periudhës së negociatave. Dhe duke qenë realistë dhe në kontekst të kësaj, ka patur një proces të statusit të Kosovës, të mandatuar nga KS-ja, me një të dërguar për statusin, dhe ne kemi patur 17 muaj negociata. Por unë gjithashtu do të rikujtoja se procesi i statusit ka qenë madje edhe më i gjatë se sa nga ai i presidentit Ahtisaari, sepse që në vitin 2003, përfaqësuesi i OKB-së në Kosovë, Michael Steiner, pati bërë thirrje për zgjidhjen e statusit dhe ka një proces që për një kohë të gjatë ka vazhduar. Përkundër kësaj historie, përkundër asaj se çfarë thuhet në pjesën më të madhe të shtypit perëndimor, përkundër fakteve që shumë organizata kyçe në perëndim thonë, përkundër historikut që ka dhënë p.sh. Komisioni Ballkanik, dhe gjithashtu përkundër asaj se çfarë kanë deklaruar presidentët Sarkozy e Bush, mendoj se është shumë e vështirë të besohet se ka një zgjidhje tjetër për statusin e Kosovës, nga ajo që e ka përshkruar presidenti Ahtisaari, pra një pavarësi nën mbikqyrje ndërkombëtare. Prandaj nëse Serbia vjen në periudhën shtesë të negociatave, dhe mos harroni se ende nuk është arritur marrëveshja për këtë, por nëse ka një periudhë shtesë, dhe nëse Serbia vjen dhe mban një qëndrim të atillë si para një viti, është shumë e vështirë të kuptohet se si do të shtyjë përpara gjërat. Por nëse në anën tjetër ajo ulet dhe thotë se do të bisedojë për hollësitë, ose për çështjet jashtë paketës së Ahtisaarit, ose diçka shtesë të tij, ka shumë mundësi të ketë negociata të mira.

 Ky nuk është një proces që mund të shtyhet deri në pakufi.
Karen Pierce, zëvendësshefja e misionit britanik në OKB

BBC: Më falni ambasadore, a nënkupton kjo se ju do ta hapni paketën Ahtisaari për ta diskutuar sërish?
Zonja Pierce: Kjo nuk është ajo që thashë. Mendoj se çështja është, nëse ka një periudhë shtesë të negociatave, dhe nëse Serbia vjen thjesht për hir të argumentimit, dhe thotë se "ne e shohim çfarë thuhet për komunat, por ne sugjerojmë një tjetër komunë", me fjalë të tjera, kjo ka të bëjë me hollësitë teknike, dhe pasi të jetë marrë në konsideratë dhe të jenë konsultuar shqiptarët e Kosovës, dhe njerëzit që duhet ta zbatojnë në terren, mund të jetë që të thuhet: "po kjo është e mundur". Por po e përsëris, nëse ata vijnë dhe mbajnë një qëndrim të ngurtë, mendojmë se do të jetë shumë jo realiste dhe negociatat e tilla nuk do të çojnë askund. Ajo që dua të theksoj është se njerëzit e vetëm që humbasin këtu janë serbët e Kosovës dhe është shumë e qartë se as Beogradi dhe as Moska nuk kujdesen fare për serbët e Kosovës. Nëse do të përkujdeseshin, atëherë, do ta kuptonin se provizionet në dokumentin e Ahtisaarit për pakicat, janë më zemërgjërat në Evropë dhe ato ofrojnë një mbrojtje të mirë për komunitetin serb. Kjo është arsyeja pse pakicat e tjera jo serbe, e kanë pranuar planin Ahtisaari sepse ata kanë parë përfitime nga këto vlera si dhe siguri dhe mbrojtje që mund të marrin komunitetet e tyre. Mendoj se ajo që Beogradi dhe Moska po bëjnë, me rrezik, është se po e minojnë mbrojtjen që është ofruar për serbët e Kosovës dhe pakicat e tjera në planin Ahtisaari.

BBC: Por zonja ambasadore, përfaqësuesi rus në OKB, Churkin, e ka kundërshtuar menjëherë projekt-rezolutën që ju keni ofruar në KS. Ata janë kundër dhe cili është kuptimi i vazhdimit të lëshimeve?
Zonja Pierce: Ata kanë mbajtur një qëndrim krejtësisht tjetër në KS. Unë nuk do të mbështetesha në ato çfarë thonë në publik. Mendoj se gjëja kryesore është se ne kemi vazhduar të flasim me Rusinë tash e disa javë dhe madje edhe para kësaj në Grupin e Kontaktit dhe në disa takime të tjera. Ne do të donim që të punojmë me Rusinë rreth kësaj dhe dera është e hapur që ajo të diskutojë me ne hollësitë dhe parimet, por ne nuk mund që, përgjithmonë, vetëm të flasim jashtë KS-së. Anëtarët e tjerë të KS-së kanë një interes dhe ne kemi thënë se do të donim të kishim një Rezolutë të KS-së dhe në një pikë të caktuar ne duhet ta sjellim atë para KS-së dhe na sjell para një fakti se ky nuk është një proces që mund të shtyhet deri në pakufi.

BBC: Pra edhe durimit tuaj po i vjen fundi?
Zonja Pierce: Nuk do të thoja se durimit tonë po i vjen fundi. Po them se duke e kuptuar situatën në terren, mendoj se ajo kërkon, ashtu siç e kanë thënë shumë njerëz në muajt e fundit, një zgjidhje të shpejtë për statusin e Kosovës. Ashtu siç e thashë kjo është një çështje që na është përvijuar, të paktën që nga viti 2003, dhe me argumente, që kur është miratuar Rezoluta 1244. Prandaj është e drejtë që ne të provojmë ta zgjidhim këtë tani. Unë do të doja t'ju tërheq vëmendjen tuaj tek deklarata e ministrave të jashtëm të BE-së, më 18 qershor, me të cilën riafirmohet mbështetja për paketën e Ahtisaarit. Prandaj ne besojmë se duhet të ecim përpara me shpejtësi dhe të vijmë në pikën kur mund ta përmbyllim kaptinën e fundit të historisë ballkanike. Dhe duam të shohim se të gjithë kanë përfituar përfshirë edhe Kosovën, në rrugën drejt Evropës dhe integrimeve euro-atlantike. Dhe çështja e fundit që dua të theksoj, nëse më lejohet, është se ky integrim ka një kriter shumë të rëndësishëm dhe ai është se hyrja është e kushtëzuar me marrëdhëniet e mira me fqinjët. Dhe ky është një parim themelor mbi bazën e të cilit është krijuar BE-ja. Dhe nëse ne duam që të integrojmë Ballkanin në Evropë, dhe të mos e përjashtojmë Serbinë, ajo duhet ta pranojë fqinjësinë e mirë me fqinjët e saj dhe kjo përfshinë edhe Kosovën dhe anasjelltas.

BBC: Por ju keni qenë në takimin e KS-së. Atëherë cila është përshtypja juaj, a mund ta afroni Rusinë që të votojë për këtë projekt-rezolutë dhe pastaj të kemi 120 ditë të negociatave?
Zonja Pierce: Unë nuk dua të bëj asnjë vlerësim për qëndrimin rus, ne do të ecim hap pas hapi, për ta parë se çfarë do të bëhet më tutje, dhe që të sigurohemi se do të zgjidhim me kohë statusin e Kosovës. Por nëse ka një perspektivë të punës me Rusinë, atëherë natyrisht se do të vazhdojmë, meqë kemi punuar së bashku në Ballkan për vite të tëra. Nëse kjo është e mundshme.

BBC: Por ata kanë kërkuar një vit negociatash. A jeni ju të gatshëm që të pranoni këtë kërkesë?
Zonja Pierce: Ata nuk e kanë përsëritur këtë kërkesë sot (të mërkurën), dhe tani propozimi ynë ka të bëjë me 120 ditë të reja, para se rezoluta Ahtisaari të zbatohet. Dhe ne nuk kemi dëgjuar nga askush që kjo periudhë të mund të ndryshohet. E kam parë shumë të vëshitrë ta kuptoj se çfarë mund të arrihet brenda një periudhe të gjatë e që nuk mund të arrihet në një periudhë të shkurtër, dhe në fund të fundit, dhe unë po i kthehem sërish kësaj pike, ka një zgjidhje të pashmangshme për të ardhmen e Kosovës dhe që shumë veta e kanë përmendur shumë shpesh. Është në interes të KS të OKB-së e të gjithë bashkësisë ndërkombëtare, që ta zgjidhim këtë çështje të statusit në një mënyrë zyrtare përmes KS-së, që do të çonte drejt një procesi të ardhshëm dhe që do të dëshmonte se KS në fakt mund të merret me problemet. Dhe unë besoj se të gjithë anëtarët e KS-së do ta kanë parasysh këtë çështje.

BBC: Dhe mund të themi se pas 120 ditësh Kosova do të jetë e pavarur?
Zonja Pierce: Nuk jam e gatshme që të konfirmoj një gjë të tillë sepse rezoluta thotë se KS do ta vlerësojë periudhën e negociatave dhe situatën dhe mund të marr vendime të tjera nëse do. Pra, unë nuk dua që ta pengoj KS-në rreth kësaj.

BBC: Dhe kjo do të thotë se ju e doni një zgjidhje brenda këtij viti?
Zonja Pierce: Më parë do të kishim dashur, ashtu siç e pati thënë edhe Grupi i Kontaktit, pra më parë do të dëshironim të kishim mundësi ta zgjidhnim këtë në fund të vitit 2006. Kjo është diçka që së bashku me ministrat e Grupit të Kontaktit, në përkrahje të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, të NATO-s, të Këshillit të Sigurimit dhe me Javier Solanën, do të donim ta zgjidhnim në vitin 2006, por për shkak të zgjedhjeve serbe dhe për shkak se nuk kishte një qeveri serbe, nga fundi i vitit 2006 dhe fillimi i 2007, vendimi u mor që ne t'i japim më shumë kohë qeverisë serbe të krijohet dhe që pastaj të flasim për Kosovën. Unë do të mendoja se do të ishte një abuzim i kësaj konsiderate, nëse ata do të vinin dhe të mbanin qëndrimin e njëjtë sikur e kanë patur para ardhjes së njerëzve të rinj në qeveri.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>