BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 20 qershor 2007 - 18:26 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Çeku kundërshton bisedime të mëtejshme
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku
Çeku kundërshton bisedime të mëtejshme
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka deklaruar se bisedimet për statusin e Kosovës dhe për paketën e Ahtisaarit kanë përfunduar dhe se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme.

Kryeminisitri Çeku tha pas një takimi me të dërguarin e BE-së për statusin Staphan Lehne, ka thënë se paketa Ahtisaari është e mbyllur dhe se nuk sheh asnjë arsye të hapet sërish ajo.

Por zoti Çeku ka thënë se me Serbinë do të bisedohet vetëm si dy fqinjë në raporte të barabarta për çështje që kanë të bëjnë me çështjen e personave të pagjetur, me çështjen e dokumentacionit dhe fondin e pensionistëve.

Deklarata e kryeministrit të Kosovës vjen pas njoftimeve se në selinë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork ka qarkulluar një projekt-rezolutë e ndryshuar e Këshillit të Sigurimit që do të vononte për 120 ditë pavarësinë për Kosovën për të lejuar zhvillimin e më shumë bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit për të arritur një marrëveshje kompromisi.

Teksti i ri i përgatitur nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara shkruan, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, se rezoluta për pavarësinë nën mbikqyrje ndërkombëtare do të hyjë në fuqi pas 120 ditësh "nëse Këshilli i Sigurimit nuk vendos shprehimisht ndryshe pasi të ketë bërë një vlerësim" të gjendjes.

Projekti thotë se vlerësimi do të bëhet "mbi bazën e një raporti të një përfaqësuesi të sekretarit të përgjithshëm".

Rusia ka bërë thirrje për negociata të reja midis palëve duke lënë të kuptohej se do të vinte veton ndaj projektit origjinal.

Ndërsa projekti i ri ofron kohë për negociata të reja, Rusia mund të mos pranojë autorizimin automatik të pavarësisë nëse negociatat nuk sjellin rezultate.

Sipas projektit të ri, administrata e OKB-së në Kosovë do të përfundojë misionin 120 ditë pasi të hyjë në fuqi rezoluta, dhe BE-ja do të marrë nën kontroll tranzicionin drejt pavarësisë.

Trupat e udhëhequra nga NATO-ja do të mbeten për të garantuar sigurinë dhe tranzicioni do të mbikqyret nga një përfaqësues civil ndërkombëtar.

Ndërkohë qeveria e Kosovës i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të sqarojë afatet kohore për zgjidhjen e statusit pas sugjerimeve se mund të duhen më shumë negociata.

Ndërsa nuk ka shenja se Serbia dhe Rusia mund ta tërheqin kundërshtimin e tyre, negociatorët sugjeruan javën e shkuar se mund të duhet më shumë kohë për negociata për të arritur një zgjidhje.

Qeverias kosovare kundërshtoi një deklaratë të kryeprokurores së Gjykatës për Krimet e Luftës në Hagë, Karla del Ponte, e cila tha se mosshtyrja e zgjidhjes së statusit të Kosovës do të minonte përpjekjet për të arrestuar apo gjetur personat e dyshuar për krime lufte.

"Znj. Del Ponte me ketë deklaratë ka shkelur në mënyrën me të vrazhdë mandatin e saj si kryeprokurore e Tribunalit te Hagës dhe se ndërhyrja e saj rreth çështjes se statusit te Kosovës, posaçërisht në lidhje me bashkëpunimin e Serbisë me Tribunalin e Hagës, është e papranueshme," thuhet në një deklaratë të qeverisë së Kosovës.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>