BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E diel, 10 qershor 2007 - 19:45 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Bush mbështet "Adriatik 3"
Presidenti Bush në Tiranë
Bush mbështet vendet e "Adriatik 3"
Vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, pas takimit me Presidentin Bush në Tiranë, thanë se vendet e tyre kanë marrë sinjale të fuqishme për anëtarësim në NATO, ndonëse nuk kanë mohuar edhe rolin e tyre sa i përket përmbushjes së standardeve.

Kryeministri shqiptar Sali Berisha, ai kroat Ivo Sanader dhe ai i Maqedonisë Nikolla Gruevski nuk fshehën kënaqësinë nga mesazhet inkurajuese që morën gjatë takimit me Presidentin Bush.

"U ndamë me presidentin Bush me një inkurajim shumë të madh për të mbështetur vendet tona në përpjekjet e tyre për të marrë ftesë anëtarësimi në NATO në samitin e Bukureshtit," tha zoti Berisha.

"Pas takimit të sotëm jam shumë pozitiv se ky është edhe një hap më afër anëtarësimit tonë në NATO në vitin 2008," tha kryeministri kroat Ivo Sanader.

"Presidenti Bush ishte i hapur dhe pozitiv për përpjekjet e vendeve tona për anëtarësim në NATO dhe ne mund të llogarisim në mbështetjen e tij," tha kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski.

Tre kryeministrat nuk harruan që të përmendin edhe detyrimet e vendeve të tyre dhe standardet që duhet të përmbushin deri në samitin e ardhshëm të NATO-snë Bukuresht, mbi bazën e të cilave merret edhe ftesa për anëtarësim në aleancën veri-atlantike.

Presidenti Bush për të gjitha vendet ka pasur edhe kërkesa specifike, nga Kroacia është kërkuar më shumë në reformat në ushtri, nga Shqipëria më shumë në përforcimin e sundimit të ligjit dhe reformave në disa fusha, kurse nga Maqedonia ndër këto kërkesa është shtuar edhe ajo e zbatimit të plotë të Marrëvëshjes së Ohrit.

Në takimin e Presidentit Bush dhe kryeministrave Berisha, Sanader dhe Gruevski e paevitueshme ishte edhe Kosova.

Përveç përkrahjes të pakompromis të Shqipërisë, për këtë çështje, edhe Kroacia edhe Maqedonia duket se mbështesin një pavarësi të plotë të Kosovës, që tani është një qëndrim zyrtar i SHBA-së.

"Ne theksuam se jemi të gatshëm që të kontribuojmë në zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës," tha kryeministri kroat Sanader.

"Kroacia mbështet planin Ahtisari në këtë drejtim dhe rekomandimet e tij," tha Sanader.

"Sigurisht që është në interes të Maqedonsië që të jetë më aktive për Kosovën, duke pasur parasysh se një pjesë e madhe e popullsisë është shqiptare dhe ata janë të interesuar për një zgjidhje sa më të shpejtë duke marrë parasysh vullnetin e popullit të Kosovës," tha Imer Aliu, zëvendës-kryeministri i qeverisë së Maqedonisë i cili foli për BBC-në, pas takimeve të delegacionit maqedonas me presidentin amerikan.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>