|
Nismë e re e Bushit për klimën | |||||||||||||||||||||||
Presidenti Bush u ka bërë thirrje vendeve kryesore të botës të bien dakord për një objektiv afatgjatë global për të ulur emetimin e gazrave që krijojnë efektin serë deri në fund të vitit të ardhshëm. Ai e parashtori këtë propozim gjatë një fjalimi në Uashington para samitit të G8-s në Gjermani ku ngrohja globale pritet të jetë një nga çështjet kryesore për diskutim. "Shtetet e Bashkuara do të punojnë me vendet e tjera për të krijuar një kuadër të ri për emetimet e gazrave që krijojnë efektin serë pasi të përfundojë mandati i Protokollit të Kiotos në vitin 2012," tha zoti Bush. "Pra, propozimi im është: deri në fund të vitit të ardhshëm, Amerika dhe vendet e tjera do të vendosin një synim afatgjatë global për uljen e gazrave që krijojnë efektin serë," tha presidenti amerikan. Ai bëri thirrje për zhvillimin e disa takimeve midis SHBA-së dhe 14 vendeve të tjera që konsiderohen se emetuesit më të mëdhenj të gazrave që krijojnë efektin serë, përfshirë Indinë dhe Kinën. Zoti Bush përsëriti se zgjidhjet e problemit të ngrohjes globale duhet të gjenden në zhvillimin e teknologjive të reja, ku ai tha se SHBA ishte në udhëheqje, dhe u kërkoi vendeve të tjera të eliminojnë tarifat për teknologjitë e energjisë së pastër. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||