|
Rice në Gjermani për takimin e G8-ës | |||||||||||||||||||||||
Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice ndodhet në Gjermani. Znj. Rice po merr pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të G8-ës. Ndër çështjet që do të diskutohen nga zyrtarët e lartë do të jenë statusi i Kosovës, situata në Lindjen e Mesme, ndryshimet klimatike dhe çështja e programit bërthamor të Iranit. Takimi i ministrave pritet të përgatisë terrenin për samitin e udhëheqësve të G8-ës, i cili do të zhvillojë punimet javën e ardhshme në Heiligendamm. Statusi i Kosovës Jashtë takimit të G8-ës, znj. Rice pritet të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Bisedimet mes dy shefave të diplomacisë pritet të përqëndrohen tek çështja e statusit të Kosovës. Dy palët kanë qëndrime krejt të kundërta në këtë çështje. Para bisedimeve me znj. Rice, z. Lavrov ka përsëritur qëndrimin e Moskës se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm përmes bisedimeve të drejtpërdrejta mes Prishtinës dhe Beogradit. Zhvillim i papritur Në një zhvillim të papritur, Gjermania që ka presidencën e rradhës së grupimit të tetë vendeve më të industrializuara të botës, ka ftuar për të marrë pjesë në takim ministrat e jashtëm të Afganistanit dhe Pakistanit. Zyrtarët gjermanë shpresojnë t'i inkurajojnë të dy vendet që të përmirësojnë bashkëpunimin mes tyre. Ata kërkojnë edhe nga vendet e G8-ës që të intensifikojnë presionin diplomatik dhe të mbështesin përpjekjet për zhvillimin e lidhjeve më të ngushta ekonomike mes dy vendeve. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar nga akuza dhe ndërakuzat në lidhje me intensifikimin e aktiviteteve të talebanëve. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||